Gjykata Supreme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Jakup Krasniqit, njësoj si për Kadri Veselin

Gjykata Supreme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Jakup Krasniqit, njësoj si për Kadri Veselin

23:01, 02/01/2026

Gjykata Supreme, pjesë e Dhomave të Specializuara në Hagë, ia ka refuzuar kërkesën për lirim me kusht Jakup Krasniqit, duke marrë të njëjtin vendim si më herët për Kadri Veselin.

Pavarësisht se procesi gjyqësor është drejt përfundimit dhe sipas mbrojtjes nuk ka më dëshmitarë apo prova të reja, Supremja vendosi ta rrëzojë kërkesën e Krasniqit.

Sipas njoftimit zyrtar, më 30 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova (kryegjykatëse), Kristine van den Wyngaert dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë kërkesën e Jakup Krasniqit për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur në nëntor 2025. Kjo kërkesë kishte të bënte me vendimin e Panelit të Gjykatës së Apelit të 13 gushtit 2025, i cili kishte konfirmuar rrëzimin e kërkesës së Krasniqit për lirim të përkohshëm nga Trupi Gjykues.

Disa ditë më parë, një vendim i ngjashëm ishte marrë edhe për Kadri Veselin.

Arsyetimi i Gjykatës Supreme

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme thekson se nuk është konstatuar asnjë shkelje në vendimet e mëparshme, përmes të cilave Kadri Veselit i ishte refuzuar lirimi me kusht.

“Paneli vëren se z. Veseli nuk ka treguar ndonjë shkelje thelbësore të një procedure specifike të parashikuar në Ligj apo në Rregullore”, thuhet në vendim, duke sqaruar se një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë duhet të bazohet në shkelje të përcaktuara qartë në nenin 48(7)(b) të Ligjit.

Gjykata rikujton se, sipas vendimeve të mëparshme, ekziston rreziku që Veseli të ndërhyjë në procedura ose të ndikojë në dëshmitarë, rrezik i cili, sipas saj, nuk është zhdukur me kalimin e kohës.

“Edhe pse rreziku i pengimit mund të zvogëlohet me kalimin e kohës, kjo nuk ndodh automatikisht dhe varet nga rrethanat konkrete të çështjes. Ajo që kërkohet është që arsyet ekzistuese të vazhdojnë të justifikojnë paraburgimin”, thuhet më tej në vendim.

Gjykata Supreme gjithashtu iu referua pretendimeve për zbulim të informatave konfidenciale nga Veseli, pavarësisht se procesi gjyqësor është drejt fundit. Sipas saj, kjo sjellje tregon gatishmërinë dhe aftësinë e mundshme për të përhapur informacione konfidenciale, çka është konsideruar relevante për vlerësimin e rrezikut të pengimit të procedurave.

Në përfundim, Supremja vlerëson se Paneli i Apelit nuk e ka keqzbatuar standardin ligjor dhe se shqyrtimi i paraburgimit nuk është bërë në mënyrë automatike, por mbi bazën e një vlerësimi të vazhdueshëm të rreziqeve.

Veseli ishte ankuar se nuk ekzistonin prova apo dëshmi që do të justifikonin vazhdimin e paraburgimit të tij. Megjithatë, Gjykata thekson se këto pretendime janë të natyrës faktike dhe përbëjnë mospajtim me vlerësimin diskrecionar të fakteve nga Paneli i Apelit, gjë që nuk mund të trajtohet në kuadër të procedurës për mbrojtjen e ligjshmërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco