Dita e zgjedhjeve në Kosovë u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, por procesi nuk kaloi pa parregullsi dhe shqetësime, duke filluar nga problemet teknike me fletëvotimet e deri te akuzat për trysni politike dhe frika nga manipulimi i votave për shkak të krizës energjetike.
Një ndër shqetësimet kryesore ishte mungesa e mundshme e energjisë elektrike gjatë procesit të numërimit të votave. Në një kohë kur vendi po përballet me ndërprerje të rrymës, u ngrit alarmi se një errësirë në qendrat e votimit do të krijonte terren ideal për manipulime. Mungesa e energjisë do të nxirrte jashtë funksionit kamerat e sigurisë, duke e bërë të pamundur monitorimin e plotë të procesit dhe duke lënë hapësirë për abuzime.
Në komunat veriore u vunë re parregullsi të tjera, tha gazetarja e Syri Tv Albionë Zhitia, ku raportohet se qytetarët kanë votuar në mënyrë masive dhe të organizuar. Në këtë kontekst, një zhvillim i rëndësishëm ishte intervistimi i kryetares së Ranillugut nga prokuroria e shtetit. Ajo dyshohet se ka ushtruar trysni ndaj qytetarëve për të votuar për Listën Serbe, një veprim që konsiderohet vepër penale dhe cenon vullnetin e lirë të votuesve.
Probleme teknike u shfaqën në Drenas dhe Rahovec, tha gazetarja gjatë bisedës me moderatorin Bled Marku, ku u identifikuan rreth 4000 fletëvotime me pika me ngjyrë pranë emrave të kandidatëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e cilësoi këtë si një "gabim teknik" të kompanisë që i ka shtypur fletëvotimet, duke mohuar se ishte tentativë për të ndikuar tek votuesit. KQZ njoftoi se fletëvotimet me probleme u larguan dhe u zëvendësuan.
Pavarësisht këtyre incidenteve, procesi zgjedhor në përgjithësi u konsiderua i qetë. Vonesa të vogla në hapjen e disa qendrave të votimit në Istog, Graçanicë dhe Ranillug, të shkaktuara po nga mungesa e energjisë, u tejkaluan shpejt. Interesimi i lartë i votuesve ka ngjallur shpresa se rezultati do të sjellë një diferencë të qartë mes forcave politike, duke i hapur rrugë krijimit të një qeverie më stabile dhe duke shmangur bllokadat politike të së kaluarës.
Zhitia: Ani pse ky fakt është për shkak se kohët e fundit Kosova po ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike, siç duket edhe sot e kemi këtë problem. Tashmë, në orët e fundit dhe në procesin e mbylljes së këtij votimi, ku do të ketë mundësi për numërimin e votave, mungesa e energjisë elektrike do të bënte që të kemi ndoshta manipulim të votës së qytetarëve, duke pasur parasysh se në errësirë nuk ka as monitorim të kamerave që janë të vendosura në secilin vendvotim, po ashtu as mundësi të monitorimit të detajuar nga secili vëzhgues. Mungesa e energjisë elektrike krijon hapësirë për manipulim të votave.
Në këto zgjedhje, në komunat veriore, përveç se zakonisht kanë votuar në grumbull dhe në grupe të ndryshme. Në këtë ditë kanë votuar shumë më tepër, kanë votuar masivisht dhe në mënyrë të organizuar.
Ajo që vlen të ceket është se tani, para Prokurorisë së Shtetit, është duke u intervistuar edhe kryetarja e Ranillugut, me arsyetimin se ka bërë trysni ndaj qytetarëve për të imponuar votën e saj, pra që vota të shkojë tek Lista Serbe, duke shkelur në këtë formë ligjin e Kosovës. Kjo përbën vepër penale për imponimin e votës dhe ushtrimin e trysnisë ndaj qytetarëve për të votuar një parti të caktuar, siç është në këtë rast subjekti politik nga komiteti i Serbisë, Lista Serbe.
Ajo që vlen të ceket është se në Drenas, deri më tani, përveç gatishmërisë së madhe të qytetarëve për të votuar dhe problemeve me energjinë elektrike, ka pasur edhe probleme me fletëvotime të shënuara me ngjyra dhe pika te kandidatët për deputetë. Kjo gjë ka ndodhur edhe në Rahovec, ku janë rreth 4 000 fletëvotime të tilla dhe, sipas kryetarit të KQZ-së, ka qenë një gabim teknik.
Siç isha duke thënë, sipas kryetarit të KQZ-së, zotit Radoniqi, incidentet që kanë ndodhur si në Drenas ashtu edhe në Rahovec me fletëvotimet e shënuara me ngjyra të kuqe ose të verdhë, janë problem teknik i shkaktuar nga kompania që ka bërë printimin e fletëvotimeve dhe nuk lidhen me vëzhguesit, të cilët mund të kishin orientuar votuesit se kë të votonin. Ato janë larguar dhe pritet të zëvendësohen me fletëvotime të reja, të cilat nuk kanë asnjë shenjë në vendet ku duhet të shënohet numri i deputetëve.
Ajo që duhet theksuar në këtë paraqitje është se deri më tani, numri shumë i lartë i qytetarëve që po e ushtrojnë të drejtën e votës, mund të sjellë një rezultat më të thellë mes partive që kanë garuar në këto zgjedhje. Ndoshta diferenca mes të parit dhe të dytit do të jetë shumë e lartë ose anasjelltas, dhe ndoshta do të kemi një qeverisje më stabile, e cila nuk do të krijojë më bllokada si ato që i kemi pasur në muajt e kaluar.
Vetëm disa qendra votimi nuk janë hapur në kohë, siç ka ndodhur në Istog, Graçanicë dhe Ranillug, por ato kanë filluar punën pas 30 minutash. Kjo vonesë ka ardhur për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Në momentin që është rikthyer energjia elektrike, ato janë hapur dhe procesi ka vazhduar normalisht. Probleme të tjera nuk ka pasur, pasi Kosova në vazhdimësi ka dëshmuar një proces të mirë dhe demokratik zgjedhor, përjashtuar këto incidente të vogla që po ndodhin në orët e fundit.
Në fakt, pavarësisht interesimit të lartë të qytetarëve, e drejta e votës mund të ushtrohet vetëm deri në orën 19:00. Përjashtim bëjnë vetëm ata votues që ndodhen brenda qendrës së votimit, pra që janë në radhë dhe pranë kutisë së votimit. Ata që janë jashtë qendrës së votimit nuk lejohen të votojnë. Procesi mbyllet në orën 19:00 dhe nuk lejohet më askush të votojë, pasi qytetarët kanë pasur 12 orë në dispozicion për ta ushtruar të drejtën e tyre të votës. Nuk pritet të ketë zgjatje të orarit, pasi jemi në kohën kur po bie terri dhe problemet me energjinë elektrike në mbarë vendin e bëjnë të pamundur zgjatjen e procesit. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në të kaluarën, që të ketë shtyrje të kohës së përmbylljes së procesit zgjedhor.
© SYRI.net