Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pas ushtrimit të së drejtës së votës, ka përcjellë një mesazh të qartë për qeverinë e ardhshme, duke lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisjes së kaluar, të cilën e cilësoi si “bllokuese dhe sabotuese” ndaj kryeqytetit.
Në një prononcim për mediat, Rama shprehu shpresën se zgjedhjet do të sjellin një qeveri stabile, pro-zhvillimit dhe mbi të gjitha, pro-bashkëpunimit me Prishtinën. Sipas tij, kryeqyteti është motori i zhvillimit të gjithë Kosovës dhe bashkëpunimi mes nivelit qendror dhe lokal është kyç për avancimin e vendit.
“Uroj që zgjedhjet e reja të bijnë një qeveri e cila është pro zhvillimit, pro bashkëpunimit me kryeqytetin,” deklaroi Rama, duke theksuar se projekte të mëdha si Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” kërkojnë një partneritet të fortë.
I pyetur se çfarë nënkupton me një qeveri bashkëpunuese, kryetari i Prishtinës nuk hezitoi të kritikonte drejtpërdrejt qasjen e kaluar. “Për fat të keq, qeveria e kaluar ka qenë bllokuese, sabotuese ndaj kryeqytetit. Na duhet një qeveri pro zhvillimit, pro bashkëpunimit, jo qeverisje autokrate, të cilët mendojnë që vetëm vetë duhet të qeverisin,” pohoi ai. Rama argumentoi se koncepti i autokracisë i përket së kaluarës dhe se Kosova tashmë ka tejkaluar sistemet njëpartiake, komunizmin dhe diktaturën.
Ai e quajti demokracinë multipartijake, multikulturore dhe multietnike si “të bukurën e demokracisë”, ku mendimet e ndryshme bashkohen për një kauzë më të madhe. “Autokracia është një gjë e të kaluarës, e cila duhet ta lëmë mbrapa. Është diçka e stërvjetëruar,” shtoi ai.
Në fund, kryetari i kryeqytetit theksoi rëndësinë ekonomike të Prishtinës, duke përmendur se ajo kontribuon me 50% të buxhetit të Kosovës. Për këtë arsye, ai bëri thirrje që kushdo që formon qeverinë e re, të reflektojë dhe të jetë i hapur për bashkëpunim, pasi kjo është në interesin e të gjithë shoqërisë kosovare.
Kemi një qetësi, po tregon populli ynë që janë demokratë. Jemi një shoqëri demokratike. Uroj që zgjedhjet e reja të sjellin një qeveri e cila është pro zhvillimit, pro bashkëpunimit me kryeqytetin, sepse kryeqyteti është edhe motori i zhvillimit të gjithë Kosovës dhe kemi punë të mëdha tash edhe katër vite me radhë, ta transformojmë kryeqytetin për të mirën e të gjithë Kosovës.
I kemi dhe Lojërat Mesdhetare, Prishtina 2030, pra kemi mundësi të mëdha që nëpërmjet kryeqytetit të avancojmë të gjithë vendin. Prandaj uroj që të gjithë qytetarët të reflektojnë, po ashtu edhe kushdo që të mbërrijë ta krijojë qeverinë, që të jetë bashkëpunues me njëri-tjetrin, pra që t'i çojmë përpara proceset demokratike, të punojmë së bashku edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, ta zhvillojmë shtetin tonë ashtu siç i ka hije. E di që kemi njerëz që munden, kemi vizion, mision dhe nuk kam asnjë dyshim që populli i Kosovës do ta zgjedhë, do t'i zgjedhë më të merituarit dhe do të kemi një qeveri stabile për katër vitet e ardhshme me një zhvillim, me një prosperitet të mirëfilltë për të gjithë vendin tonë. Urime Kosovë.
Për fat të keq qeveria e kaluar ka qenë bllokuese, sabotuese ndaj kryeqytetit. Uroj që kushdo që të jetë, të reflektojë, pra, sepse nuk shkojnë proceset në mënyrë të mirëfilltë kur nuk bashkëpunon qeveria me nivelin lokal, posaçërisht me kryeqytetin. E përmenda edhe një herë që na duhet një qeveri e cila është pro zhvillimit, pro bashkëpunimit, jo qeverisje autokrate, të cilët mendojnë që vetëm vetë duhet të qeverisin. Kemi kaluar këto kohë ku kemi pasur sisteme njëpartiake, pra kemi kaluar komunizmin, kemi kaluar diktatura edhe nuk na duhen, nuk na duhen këto gjëra sot.
Jemi me fat që e kemi Kosovën e lirë, Kosovën e pavarur, Kosovën demokratike, Kosovën multikulturale, multietnike, po ashtu edhe kemi multipartijake. Edhe kjo është ajo e bukura e demokracisë. Mendimet e ndryshme të cilat bëhen së bashku për një kauzë më të madhe. Kjo është edhe e bukura e demokracisë. Pra, autokracia është një gjë e të kaluarës, e cila duhet ta lëmë mbrapa. Pra është diçka e stërvjetëruar, 120 vjet e vjetër ose më shumë dhe uroj po them që populli të zgjedhë me mendje, siç ka zgjedhur gjithmonë. E po ashtu, edhe qeverisja e re, po them, kushdo që të jetë, kushdo që të jetë, të reflektojë edhe të jetë pro bashkëpunimit me kryeqytetin sidomos. Sepse kryeqyteti i dini, 50% të buxhetit të Kosovës e paguan kryeqyteti. Prandaj, edhe është me interes të madh për të gjithë shoqërinë tonë, për të gjithë Kosovën, që të kemi një qeverisje mendjehapur e të mirëfilltë.
© SYRI.net