Kosova voton nesër, 2 milionë qytetarë me të drejtë vote! Në përfaqësi diplomatike votuan mbi 15 mijë votues

Kosova voton nesër, 2 milionë qytetarë me të drejtë vote! Në përfaqësi diplomatike votuan mbi 15 mijë votues

22:44, 27/12/2025

Rreth 2 milionë shtetas të Kosovës, me të drejtë vote, nesër  pritet t`u drejtohen kutive votuese për të zgjedhur përbërjen e Kuvendit.

Procesi zgjedhor është paraparë të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjektet politike të cilat garojnë në këto zgjedhje.

Policia tashmë ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës, në aspektin e sigurisë së procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional. Policia inkurajon  qytetarët për bashkëpunim  dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor. Për mbarëvajtje të këtij procesi zgjedhor janë të angazhuar edhe rreth  100 prokurorë të shtetit.

Ndërkohë, edhe Institucioni i Avokatit të Popullit do t`i vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Përveç kësaj, do ta vëzhgojë edhe procesin e votimit në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare dhe shtëpitë integruese në bashkësi.

Ndërkohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës ku kanë ushtruar të drejtën e tyre mërgimtarët.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi është përmbyllur në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, në orën 01:00 të ditës së diel, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në ShBA dhe Kanada.

Kryesuesi i KQZ-së, Krehsnik Radoniqi njoftoi se gjatë ditës së votimit jashtë vendit, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë.

“Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues”, deklaroi ai

Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco