Kosova ka hyrë në fushatën elektorale të katërt rradhazi brenda këtij viti për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës. Partitë e vendit kanë çelur fushatat me premtimet kryesore për rritjen e pensioneve, pagave si dhe mbështetje për kategoritë në nevojë. Fushata elektorale në Kosovë do të zgjasë deri ditën e votimit, ndërsa garojnë 24 subjekte politike me mbi 1800 kandidatë për 120 vende në Parlament.
SYRI TV
Për herë të katërt brenda këtij viti, Kosova gjendet në fushatë elektorale. Ashtu sikurse ndodhi për zgjedhjet e muajit shkurt, edhe kësaj radhe partitë po kërkojnë besimin e qytetarëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Partitë politike ndër premtimet kryesore të tyre kanë rritjen e pagave, por edhe mbështetjen për kategoritë më të ndjeshme.
Lëvizja Vetëvendosje premtoi rritje të mëtejshme të pensioneve dhe mbështetje për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Bashkë me rritjen e pagës minimale, Kurti premtoi pagën e 13 për të gjithë shërbyesit civilë në fillim të vitit të ardhshëm teksa nuk harroi investimet në ushtri.
Partia Demokratike premtoi se pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen, ndërsa do ketë lehtësira edhe për taksat ndaj bizneseve dhe të pronës. Bedri Hamza premtoi rritje të pagave 50% mbi pagën aktuale.
Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj ka paraparë rritje të koeficientit në 150 euro për mbi 80 mijë të punësuar në administratën publike. Abdixhiku tha se çdo të diplomuari në Kosovë do t’i garantohet punësimi për 6 muajt e parë me pagë të subvencionuar nga shteti prej 500 eurove në muaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë hapjes së fushatës shpalosi pikat kryesore të programit, duke përqendruar vëmendjen te rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetja për sektorin privat dhe kthimi i investimeve në vend.
Fushata elektorale në Kosovë do të zgjasë deri ditën e votimit, ndërsa garojnë 24 subjekte politike me mbi 1800 kandidatë për 120 vende në Parlament.
© SYRI.net