SHBA-ja kërkon zbatim të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ofron garanci për mosndryshim të kufijve

SHBA-ja kërkon zbatim të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ofron garanci për mosndryshim të kufijve

10:41, 19/12/2025

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, i cili autorizon shpenzime rekord prej 901 miliardë dollarësh për mbrojtjen, rreth 8 miliardë dollarë më shumë sesa kishte kërkuar vetë administrata e tij. Ligji u miratua pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që parashohin ndihmë të re për Ukrainën dhe kufizojnë mundësinë e uljes së përfshirjes ushtarake të SHBA-së në Evropë.

Dokumenti përfshin edhe Kosovën, duke theksuar rëndësinë e saj strategjike në Ballkanin Perëndimor dhe duke riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyçe të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.

“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është drejtpërdrejt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashtë shteteve”, thuhet në dokument.

Një nga pikat kryesore të ligjit është qëndrimi i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë–Serbi. Marrëveshja e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve vlerësohet si hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Ligji riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.

Po ashtu, ligji mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve. Kosova përfshihet edhe në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez, si dhe në rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike.

Ligji gjithëpërfshirës përcakton politikat e blerjeve ushtarake, rritjen e pagave për trupat dhe adresimin e kërcënimeve gjeopolitike. Ai është rezultat i një kompromisi mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, të dyja nën kontrollin e republikanëve, dhe përfshin edhe dispozita për forcimin e sigurisë në Evropë.

Në kuadër të tij, parashikohen 800 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën – nga 400 milionë dollarë në secilin prej dy viteve të ardhshme. 

Ligji i mbrojtjes gjithashtu autorizon iniciativën e sigurisë së vendeve baltike dhe ofron 175 milionë dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Si dhe kufizon aftësinë e Departamentit të Mbrojtjes për të ulur numrin e forcave amerikane në Evropë në më pak se 76,000 dhe i ndalon komandantit evropian të SHBA-së të heqë dorë nga titulli i komandantit suprem të NATO-s.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco