Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se është finalizuar një operacion kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku janë arrestuar disa zyrtarë të lartë publikë, lidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.
“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J.M.; zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D.; ekspertin e gjykatës Sh.T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK-së G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, ata dyshohet se kanë “vepruar si grup i organizuar kriminal”, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe kanë shkaktuar dëme “të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”.
Sveçla tha se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, personat e arrestuar kishin iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës “me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011-2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”.
Sipas njoftimit për këtë rast, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera kanë zhvilluar hetime disamujore bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë./ REL/
© SYRI.net