Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.
Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.
Lajmi u konfirmua edhe nga Presidentja Vjosa Osmani pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar se pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.
Kjo shumë parash, sipas saj, do të lëshohet nga 216 milionët e planifikuar për t’iu ndarë Kosovës.
Vendimin për t’i hequr një pjesë të masave të vënë Kosovës,Von der Leyen e quajir lajm të mirë, teksa njoftoi se do të vazhdohet me heqjen e tërësishme të tyre.
“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Von der Leyen në platformën “X”
Fillimisht, të martën, 16 dhjetor, BE-ja hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura më 2023. Sipas letrës nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.
Good news for Kosovo!
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) December 17, 2025
The transfer of local governance in the north after the recent local elections was peaceful.
Thanks to this, I am glad to announce that we are moving forward to lift the measures on Kosovo.
We are programming €216 million of financial assistance.
And we… pic.twitter.com/Ng1kqU4Rdk
© SYRI.net