PZAP certifikon kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit

PZAP certifikon kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit

19:43, 13/12/2025

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa certifikoi sot kandidatët e Listës Serbe për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, pasi disa anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin bërë përpjekje t’ia ndalonin pjesëmarrjen në votime kësaj partie.

Paneli tha të shtunën (13 dhjetor) në një njoftim se e pranoi ankesën e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e 33 kandidatëve të saj dhe i certifikoi të gjithë ata.

Anëtarët e partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër në një mbledhje të komisionit më 10 dhjetor.

Kurteshi nuk dha ndonjë arsye pse votoi kundër, por tha shkurtimisht se “jam kundër certifikimit të Listës Serbe bashkë me kandidatët e saj”.

Gjashtë anëtarë nga partitë e tjera politike kishin abstenuar, ndërsa tre kishin votuar pro, shkruan REL.

Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, e mirëpriti vendimin e panelit të shtunën, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për përpjekje dhe trysni për t’ia ndaluar asaj pjesëmarrjen në zgjedhje.

Gjatë këtij viti, anëtarët e Vetëvendosjes, të udhëhequr nga Albin Kurti, kanë tentuar të paktën katër herë ta pengojnë Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhje, gjë që ka nxitur kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë kanë deklaruar më herët se të gjithë qytetarëve, pa dallime, duhet t’u sigurohen të drejtat demokratike.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj sepse partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti në dy përpjekje ta marrë mbështetjen e Kuvendit për një mandat të ri.

Ajo i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 ulëse në Kuvend ishin të pamjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe ajo nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri të pakicës prej 61 ulësesh në Kuvend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco