Stërvitje e përbashkët SHBA–Kosovë në Prishtinë: Paralajmërohen mbyllje të përkohshme aksesh rrugore

Stërvitje e përbashkët SHBA–Kosovë në Prishtinë: Paralajmërohen mbyllje të përkohshme aksesh rrugore

07:30, 12/12/2025

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka njoftuar se këtë të premte, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të zhvillohet një stërvitje e përbashkët në shkallë të gjerë. Ushtrimi do të mbahet nga ora 15:00 deri në 21:00 dhe do të fokusohet në menaxhimin e krizave, koordinimin ndërinstitucional dhe procedurat e reagimit emergjent.

Sipas njoftimit, stërvitja është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të SHBA-së dhe Kosovës për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe garantimin e gatishmërisë ndaj incidenteve të mundshme.

Ambasada thekson se përgatitjet e tilla janë të zakonshme për ambasadat dhe konsullatat amerikane, të cilat organizojnë rregullisht ushtrime për reagime emergjente, zakonisht në formë teorike ose në shkallë të vogël. Por marrëdhëniet e mira dypalëshe me Kosovën kanë mundësuar këtë stërvitje të madhe dhe me veprime praktike në terren.

Gjatë stërvitjes, pritet:

Prani e shtuar e Policisë së Kosovës dhe e personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në zonat përreth Ambasadës dhe lokacioneve të tjera të përcaktuara;

Pengesa të përkohshme në trafik dhe devijime të mundshme të qarkullimit, përfshirë mbyllje të shkurtër të disa rrugëve;

Përdorim i sirenave, altoparlantëve dhe elementeve të tjera stërvitore që mund të dëgjohen nga qytetarët.

Ambasada e SHBA-së nënvizon se bëhet fjalë vetëm për një stërvitje dhe jo për ndonjë situatë reale emergjente. Ajo kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe u bën thirrje të ndjekin udhëzimet e Policisë së Kosovës gjatë orëve të ushtrimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco