Forca e Sigurisë e Kosovës sot ka hapur dyert për qytetarët, për të shënuar Ditën e Forcës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, si dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar kazermën “Adem Jashari”.
Presidentja Osmani në fjalën e saj tha se FSK-ja është pasardhëse e denjë e UÇK-së dhe garancë për sovranitetin dhe integritetin tonë territorial.
“Sot është ditë krenarie për të gjithë popullin e Kosovës, është ditë krenarie sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e djemve dhe vajzave që vunë themelet e ushtrisë sonë dhe këta djem e vajza që i shihni sot na bëjnë krenarë jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë, në akademi, nëpër vendet e ndryshme të botës ku studiojnë tek shtete aleate, por po ashtu edhe në operacione për paqe e stabilitet në vende të ndryshme të botës ku ata shërbejnë krah për krah me aleatët tanë”, tha Osmani.
“Ushtria jonë çdo ditë po forcohet e po bëhet më operacionale, më ndërvepruese dhe më profesionale dhe natyrisht në radhët e ushtrisë sonë çdo ditë po shtohen djemtë dhe vajzat që duan t’i shërbejnë atdheut. Jemi jashtëzakonisht krenarë me punën e tyre, ata janë garanca më e fuqishme bashkë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera e tjera sigurisë së Kosovës, për sovranitetin tonë, për integritetin tonë territorial , mbrojtjen e shtetësisë sonë dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovë. Së bashku do të ecim përpara për ta bërë ushtrinë tonë edhe më të fortë në mbrojtje të shtetit tonë”, tha Osmani.
© SYRI.net