Edi Rama, i cili sot priti në samit kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, u shmang sërish nga pyetjet për raportet e tensionuara mes tyre, duke e cilësuar situatën si një “telenovelë me 1000 episode”.
“A e do a s’e do, a të do a s’të do… po t’i jap përgjigje nuk vazhdon telenovela”, u tha Rama gazetarëve, duke evituar çdo qëndrim të qartë për marrëdhëniet me Kurtin.
Deklarata vjen në një moment kur krisjet mes dy qeverive janë të njohura dhe të thella, nga përplasjet për “Ballkanin e Hapur”, tek ndërhyrjet e Vetëvendosjes në zgjedhjet shqiptare, e deri te anulimi i mbledhjes së përbashkët të qeverive një veprim i konsideruar si sanksion ndaj Kosovës për zhvillimet në veri gjatë vitit 2023. Në të njëjtën kohë sanksione ka vënë edhe Bashkimi Evropian dhe ato janë ende në fuqi.
Në vend të një sqarimi për raportet, Kryeministri Rama zgjodhi ironinë, ndërsa tensionet mes dy qeverive mbeten të pandryshuara.
© SYRI.net