Sot, më 9 nëntor, në Kosovë do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale (balotazhi) në 18 komuna, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e tyre.
Balotazhi mbahet në 18 komuna të vendit, përfshirë: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Në këto komuna, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve më të votuar nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale.
Sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 316 mijë qytetarë me të drejtë votimi.
Valmir Elezi nga KQZ tha se të gjitha vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet normalisht.
“Ju njoftojmë se në orët e hershme të ditës së sotme, materialet janë shpërndarë në kohë në të gjitha vendvotimet”, tha ai, raporton Telegrafi.
“Procesi i votimit në 18 komuna për kryetarë ka nisur me kohë. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra, me gjithsej 1628 vendvotime, të cilat janë të hapura dhe 18 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimit me kusht”.
© SYRI.net