Nis fushata për balotazhin në 18 komuna të Kosovës! PDK-LDK bashkë në Mitrovicë të Jugut dhe Prizren

Nis fushata për balotazhin në 18 komuna të Kosovës! PDK-LDK bashkë në Mitrovicë të Jugut dhe Prizren

08:54, 03/11/2025

Në 18 nga 38 komuna do të zhvillohet gara e balotazhit për kryetarë të komunave, e fushata zyrtarisht nis sot, ndonëse kandidatët e partitë kanë mbajtur tubime në vazhdimësi.

Ndërkohë PDK-ja dhe LDK-ja kanë lidhur marrëveshje koalicioni të dielën në Mitrovicë të Jugut dhe Prizren. Ato janë bërë bashkë për garën e balotazhit që do të mbahet më 9 nëntor. 

PDK-ja dhe LDK-ja kanë lidhur marrëveshje koalicioni të dielën në Mitrovicë të Jugut dhe Prizren. Ato janë bërë bashkë për garën e balotazhit që do të mbahet më 9 nëntor. 

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, në një postim në Facebook ka thënë se marrëveshja e koalicionit me LDK-në është premtim për qytetin e Mitrovicës. Ai në balotazh do të përballet me kandidatin e Vetëvendosjes, Faton Peci. 

“Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton. Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike. Ky është koalicion për Mitrovicën dhe mitrovicasit. Ky është koalicioni i fitores!” – ka shkruar Tahiri. 

Në Prizren, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ka zyrtarizuar marrëveshjen me LDK-në, të cilën e ka quajtur koalicion për bashkëqeverisje.

“Sot jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në, i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t'i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë. E falënderoj udhëheqjen e kësaj partie dhe kryetarin e degës në Prizren, Driton Selmanaj për besimin dhe mbështetjen në balotazh duke dëshmuar se para Prizrenit dhe qytetarëve të tij, interesat partiake mbesin në rendin të dytë. Prizren urime dhe na priftë e mbara! Rrugëtojmë bashkë +4 për Prizrenin e të gjithëve dhe për të gjithë!” – ka shkruar Totaj. 

Totaj në Prizren do të përballet me kandidatin e Vetëvendosjes, Artan Abrashi. 

Në gjysmën e 18 komunave ku do mbahet balotazhi janë arritur marrëveshje koalicioni.

Sa zgjat fushata

Fushata do të zgjasë gjashtë ditë.

“Gjatë periudhës prej më shumë se gjashtë ditësh, nga 3 deri në momentin e hapjes së Qendrave të Votimit, më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata përfundon me hapjen e Qendrave të Votimit në ditën e zgjedhjeve. Kështu, njësoj si në zgjedhjet e mbajtura në më 12 tetor, dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

Ndonëse fushata zgjedhore është e paraparë të nisë të hënën, aktivitetet e fushatës subjektet dhe kandidatët i kanë nisur më herët.

LVV-ja të shtunën ka mbajtur tubim në Prishtinë, ndërsa kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, e ka postuar një video të sponsorizuar në Facebook ku ka promovuar punën e tij në katër vitet që shkuan. 

Rregullat zgjedhore nuk vlejnë për këtë periudhë.

Ku mbahet balotazhi
Balotazhi për zgjedhjet lokale mbahet më 9 nëntor. 

Balotazhi do të zhvillohet në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Suharekë, Rahovec, Klinë, Dragash, Kaçanik, Viti, Obiliq, Mamushë, Junik e Kllokot.

Nga 18 komunat, Vetëvendosja është në balotazh në më së shumti, 12.

Për nga numri i votave për kryetarë në 7 qendrat e mëdha në zgjedhjet e 12 tetorit, LDK-ja doli e para në Prishtinë e Pejë, PDK-ja në Prizren, LVV-ja në Gjilan e Mitrovicë të Jugut, kurse AAK-ja në Gjakovë.

Ferizaj ka rizgjedhur Agim Aliun e PDK-së edhe për një mandat.

E KQZ-ja të hënën do të mbajë mbledhje nga ora 13:30, ku pritet të certifikohen rezultatet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në 35 komuna. Po ashtu është paraparë të shpallen rezultatet përfundimtare në Prishtinë, Mamushë e Junik për kryetarë si dhe rezultatet përfundimtare për Kuvendet Komunale. /Koha.net/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco