Siria, vend në Lindjen e Mesme, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të mërkurën. Kjo arritje vjen pas njohjes së dy vendeve afrikane këtë vit – Kenias dhe Sudanit. Lajmin fillimisht e dha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, të mërkurën, në Riad.
Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, shkroi Osmani.
Më vonë, në një paraqitje live, Osmani theksoi se njohja e Sirisë nuk ka ardhur rastësisht, por pas përgatitjeve të kujdesshme dhe takimit të parë të Presidentes Osmani me udhëheqësit sirianë në muajin prill, si dhe pas ndërmjetësimit të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, dhe mbështetjes së këtij vendi aleat të Kosovës.
Presidentja Osmani shtoi se Kosova do të vazhdojë të punojë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, duke ndërtuar partneritete të reja dhe duke forcuar marrëdhëniet me popujt që kanë përjetuar vuajtje dhe sakrifica të ngjashme.
“Ky është një hap drejt qëllimit tonë për ta vendosur Kosovën aty ku e meriton mes kombeve të lira,” tha ajo, duke paralajmëruar se muajt e ardhshëm do të sjellin edhe lajme të tjera pozitive për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Sirisë doli me deklaratë zyrtare për njohjen e Kosovës.
Në deklaratë thuhet se diskutimet në Riad u përqendruan në mënyrat për të thelluar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke përfshirë njohjen reciproke dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.
“Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe në botë,” thuhet në deklaratë.
MPJD e Sirisë thekson se vendimi është marrë në kuadër të politikës së jashtme të hapjes dhe bashkëpunimit me vendet mike, në mënyrë që të forcohen marrëdhëniet e miqësisë dhe të avancohen interesat e përbashkëta.
Për njohjen e pavarësisë së Kosovës shkroi edhe Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani.
Kryediplomati sirian tha se njohja u bë nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, shkruan Reporteri.net.
“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njoftoi njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, ka thënë ai.
Njohja e Kosovës nga Siria, u mirëprit në vend.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se nga sot Kosova do të angazhohet që lidhjet me Sirinë të fuqizohen, duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjatë, në fushat politike, ekonomike dhe kulturore.
Kurti ka vlerësuar se ky hap forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe nxit perspektiva të reja për bashkëpunim rajonal dhe global, teksa ka përmendur kontributin e presidentes Osmani në këtë drejtim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla e ka cilësuar këtë si një hap historik për shtetin dhe popullin tonë.
Ajo ka falënderuar Presidenten Vjosa Osmani për përkushtimin dhe punën e saj në forcimin e pranisë ndërkombëtare të vendit, si dhe Presidentin al-Sharaa dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite për kontributin në këtë sukses diplomatik.
“Çdo ditë, Republika e Kosovës po bëhet më e fortë dhe më e respektuar në skenën ndërkombëtare. Në këtë frymë, mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike dhe bashkëpunimin konkret me Sirinë në fusha me interes të ndërsjellë,” thuhet në deklaratë.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për njohjen zyrtare të Kosovës nga Siria, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetësisë dhe pozitës ndërkombëtare të vendit.
Në një deklaratë për media, Krasniqi ka theksuar se Siria e çon në 120 numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe ka falënderuar të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë qëndruar pranë vendit gjatë këtij procesi.
“Çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete,” ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi duhet t’i rikthehet një politike të jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët strategjikë.
Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën. Këtë vit Kosova është njohur edhe nga dy shtete.
Shteti i Sudanit ka qenë vendi i 119-të që e ka njohur Kosovën. Njohja, që ndodhi në prill, ishte konfirmuar nga takimi i ministrit të Jashtëm i këtij shteti me presidenten Vjosa Osmani.
Kenia gjithashtu njohu Pavarësinë e Republikës së Kosovës në fillim të këtij viti dhe me njohjen nga Siria tashmë, janë bërë tri njohje brenda vitit 2025.
Para këtyre dy shteteve afrikane dhe Sirisë, Kosovën që nga viti 2021 nuk e kishte njohur asnjë shtet tjetër. Në atë vit, shtetësinë Kosovës ia njohu Izraeli, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në kuadër të asaj që njihet si marrëveshja e Uashingtoni.
© SYRI.net