Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet ditën e diel, më 26 tetor, për zgjedhjen e qeverisë së re. Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i ka mbetur edhe 1 ditë dhe ende nuk dihet nëse ai do të arrijë të formojë një koalicion qeverisës apo do të çojë vendin në zgjedhje të reja, pasi Vetëvendosja nuk i ka numrat e nevojshëm.
Sipas mediave në Kosovë, mbledhja e Kuvendit do të zhvillohet në orën 10:00 të së dielës.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka marrë mandatin nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Megjithatë, më 21 tetor, Albin Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzekutivit.
‘[...] jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë’, është shprehur Albin Kurti tre ditë më parë.
Presidentja Vjosa Osmani e mandatoi Kurtin më 11 tetor për formimin e Qeverisë, dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe të kërkojë votëbesimin për të.
Aktualisht, Vetëvendosja disponon 48 deputetë në Kuvendin prej 120 ulësesh dhe më herët ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.
Megjithatë, raportohet se gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar bisedime me disa subjekte opozitare, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e nevojshme.
Në rast se Albin Kurti, si kryeministër dhe i mandatuar për qeverinë e re, nuk arrin të sigurojë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrë që brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë politike për konsultime dhe të vendosë për një mandatar të ri që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë.
Nëse as pas përpjekjes së dytë qeveria nuk mund të formohet, presidentja Vjosa Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
© SYRI.net