Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të hënën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, ndërsa ka filluar puna për rinumërimin e 5 vendvotimeve, për të cilat ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Siç bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, vendvotimet të cilat do t’i nënshtrohen rinumërimit sipas urdhrit të KQZ-së janë dy nga Mitrovica e Jugut, dy nga Kamenica e një nga Podujeva.
“Të hënën rreth mesnatës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.
Pas përfundimit të këtij procesi, në QNR ka filluar puna në rinumërimin e 5 vendvotimeve, për të cilat ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Patashtresa. Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)”, tha Elezi për gazetën online Reporteri.net.
Elezi tutje ka bërë të ditur se gjithashtu gjatë ditës së sotme në QNR do të nis numërimi i votave me kusht dhe votave të dhëna nga personat me nevoja të veçanta në zgjedhjet e 12 tetorit.
Fillimisht, planifikohet që të bëhet numërimi i fletëvotimeve me kusht nga komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve.
Në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467, bëri të ditur Elezi.
“Gjithashtu, në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve. Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, tha Elezi.
© SYRI.net