Ruzhdi Keçi, kryetar i shoqatës Tirana tha ish-prefekti i kryeqytetit, ka flet në protestën në mbështetje të UÇK.
Keçi: Sot jemi mbledhur këtu në Tiranë, në këtë qytet që gjithmonë ka qenë zemra e kombit, për të nderuar luftën e drejtë dhe të shenjtë të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës.
Jemi këtu për të nderuar gjakun e dëshmorëve që me sakrificën e tyre i dhanë jetë lirisë së Kosovës dhe krenarisë shqiptare. Tirana ndër vite ka qenë djep i mikpritjes dhe i bashkimit kombëtar. Ky qytet i ka hapur zemrën çdo shqiptari që ka ardhur nga çdo trevë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Në vitin 1999 kur Kosova po jetonte ditët më të errëta të luftës, Tirana u bë dritë shprese. Qytetarët e saj pritën me zemërsi qindra e mijëra Kosovarë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre prej gjenocidit serb.
Në ato ditë, Tirana tregoi se nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë, por kryeqyteti i shpirtit shqiptar.
Por Tirana nuk qëndroi vetëm si mikpritëse. Nga kjo tokë dolën bijtë që ju bashkuan UÇK që morën pushkën dhe shkuan në vijën e parë të frontit për të luftuar për lirinë e Kosovës e më vonë edhe për lirinë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Midis tyre është dëshmori Skerdilajd Llagami, biri heroik i Tiranës që luftoi me nder në radhët e UÇK-së, ku edhe ra heroikisht për lirinë e Kombit.
Emri i tij do të kujtohet përjetësisht si shembull i guximit, atdhedashurisë dhe idealit të bashkimit shqiptar. Sot ndërsa nderojmë heronjtë tanë, nuk mund të mos ngremë zërin edhe për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin që mbahen padrejtësisht në burgun e Hagës. Ata nuk janë kriminelë por simbole të lirisë dhe qëndresës shqiptare. Drejtësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë ndaj të vërtetës historike. UÇK nuk ishte organizata kriminale, por ushtria e një populli të shtypur që luftoi për ekzistencë, dinjitet dhe liri.
Le ta përcjellim sot nga Tirana këtë mesazh të qartë. Shqiptarët janë një në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në çdo cep të botës. Kauza e UÇK-së ishte kauza e kombit dhe kujtesa për të do të mbetet përjetë në historinë tonë....
© SYRI.net