'Zhargon i vjetër politik', Saiti: Zgjedhje pa ide të reja në Kosovë, kandidatët rikthejnë premtimet boshe

17:25, 12/10/2025

Zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë po zhvillohen në një klimë të qetë, por me pak ndryshim thelbësor në diskursin politik. 

I ftuar në intervistën e ditës në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, gazetari Gazmend Saiti analizoi situatën zgjedhore, duke vënë në dukje se pjesëmarrja nuk është domosdoshmërisht tregues i një angazhimi real qytetar, por më shumë rezultat i mobilizimit familjar.

Ai theksoi se asnjë nga kandidatët nuk ka sjellë një qasje të re apo ide novatore, ndërsa disa nga komunat kryesore, përfshirë Prishtinën dhe Prizrenin, pritet të shkojnë në balotazh një zhvillim që tashmë është bërë normë në procesin zgjedhor në Kosovë.

'Fushata ka qenë e dominuar nga premtime të përsëritura dhe mungesë idesh të reja, ndërsa kandidatët kanë vijuar të përdorin retorikën e zakonshme, duke u fokusuar te çështje bazë si rrugët dhe ujësjellësi ndonëse këto tashmë ekzistojnë edhe në zonat më të thella rurale.'- u shpreh Saiti

Pjesë nga deklarata:

Te qytetarët nuk ka një ndryshim të madh, pasi gjithçka që ndodh në Kosovë lidhet me kandidatët që rikandidojnë për kryetarë komunash dhe që ndjekin të njëjtin zhargon të zakonshëm. Në Kosovë, vazhdon të dominojë një premtim shumë i përdorur: ujë dhe rrugë. Një standard i përsëritur, ndonëse në realitet, si rruga ashtu edhe uji ekzistojnë në shumicën e komunave madje edhe në fshatrat më të thellë ka sistem ujësjellësi.

Por kandidatët sillen sikur do t’i sjellin nga e para këto gjëra, ndërkohë që premtimet e tyre janë të zbrazëta. Kemi pasur një fushatë me premtime boshe, pa ide të reja.

Në shumë komuna, turizmi mund të ishte pika kryesore e zhvillimit, por asnjë nga kandidatët nuk ka folur për të. Në garë janë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Të gjithë kanë dhënë premtime që në fakt janë çështje të zakonshme komunale. Premtime që nuk kanë tërhequr vota – votat i kanë sjellë familjarët.

Ajo që është me rëndësi, është se komuna si Prizreni, Prishtina, Dragashi dhe Gjilani shkojnë në balotazh. Në Prishtinë, balotazhi është kthyer në një standard.

Ashtu siç e përmenda edhe më herët, mungesa e ideve të reja dhe pjesëmarrja e lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht kënaqësi më e madhe. Janë thjesht njerëz që kanë dalë për të votuar sepse janë të lidhur familjarisht me kandidatët, jo se kanë parë ndonjë vizion apo standard të ri.

Asnjë nga kandidatët nuk është më avangardë se tjetri të gjithë qëndrojnë në të njëjtin nivel. Edhe pse 28.38% e pjesëmarrjes nga 84% e votuesve nuk përbën ndonjë ndryshim të madh, është një lëvizje e vogël që mund të ndryshojë deri në mbylljen e votimit në orën 19:00.

Komunat kryesore, përfshirë kryeqytetin, nuk dalin dot pa balotazh dhe flirti më i madh politik pritet të jetë mes PDK-së dhe LDK-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco