Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njofton se ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton z. Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.
Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e presidentes Osmani.
Presidentja Osmani i ka uruar suksese Kurti, kryeministër në detyrë, 'me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues".
Sipas Kushtetutës, presidentja në konsultim me partinë ose koalicionin që ka shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin për kryeministër. Mandatari ka kohë 15 ditë që të paraqesë përbërjen e Qeverisë e të kërkojë miratimin nga Kuvendi. Kabineti i propozuar, për t’u miratuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë.
Në rast se nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë. Mandatari ka 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Kuvend. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë në Kuvend. Ajo pret përkrahje nga shtatë deputetët e komuniteteve pakicë joserbe, e ndërkohë edhe mundësinë e përfshirjes së Nismës Socialdemokrate që ka tri ulëse në Kuvend. Me Nismën është konfirmuar se ka pasur negociata, por që nuk kanë prodhuar marrëveshje.
© SYRI.net