Kuvendi i Kosovës do të mbajë më 10 tetor vazhdimin e seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e cilësoi këtë hap si të domosdoshëm për përmbylljen e konstituimit. Gjykata theksoi se deputetët kanë detyrimin kushtetues të marrin pjesë dhe të votojnë, për të garantuar funksionalitetin e plotë të institucioneve të vendit.
Kuvendi ka njoftuar se më 10 tetor, në orën 10:00, do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive, me një pikë të vetme në rend dite: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ky zhvillim vjen një ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila vlerësoi se zgjedhja e përfaqësuesit serb është kusht i domosdoshëm për përmbylljen ligjore të konstituimit të Kuvendit.
Në vendimin e saj, Gjykata theksoi se votimi për nënkryetarët nuk është detyrim, por mund të realizohet vetëm përmes dakordimit ndërmjet grupeve parlamentare. Ajo sqaroi gjithashtu se e drejta për të propozuar një kandidat nuk nënkupton të drejtën për ta penguar procesin parlamentar.
Çështja është ngritur nga Lista Serbe, e cila kishte kundërshtuar mënyrën e votimit, duke pretenduar se mosvotimi i dy nënkryetarëve të pakicave në pako përbënte shkelje të procedurave. Deri tani, Kuvendi ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga komunitetet joserbe, ndërsa posti për komunitetin serb ka mbetur vakant që nga prilli.
Gjykata Kushtetuese ka theksuar se moskonstituimi i plotë është pasojë e mosvotimit të shumicës së deputetëve, përfshirë ata të LDK-së, Listës Serbe dhe, në disa raste, të AAK-së. Ajo u ka rikujtuar deputetëve se pjesëmarrja në seancë dhe votimi qoftë për, kundër apo me abstenim është detyrim kushtetues.
Seanca e së enjtes shihet si vendimtare për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe për rikthimin e plotë të funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.
© SYRI.net