Hagë: Vazhdon paraburgimi për Hashim Thaçin dhe tre të akuzuar të tjerë

Hagë: Vazhdon paraburgimi për Hashim Thaçin dhe tre të akuzuar të tjerë

11:26, 07/10/2025

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është vendosur vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut.

Të katër akuzohen për veprime që synojnë pengimin e administrimit të drejtësisë, së bashku me Hajredin Kuçin.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit kanë kryer krime që bien nën juridiksionin e DhSK-së dhe se ka rrezik që ata të pengojnë procedurat, të arratisen ose të kryejnë krime të tjera.

Sipas vendimit, Hashim Thaçi akuzohet se ka udhëhequr tri grupe që kanë tentuar të ndikojnë tek dëshmitarët gjatë vizitave të tij në objektet e paraburgimit, edhe pas përfundimit të gjykimit për krime lufte. Ndërsa, për tre të akuzuarit e tjerë nuk ka masë alternative që të zbusë rreziqet.

Dorëzania e propozuar nga Isni Kilaj për lirimin e mundshëm me 40 mijë euro është refuzuar, duke u arsyetuar se nuk zbut rrezikun e arratisjes. Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza dhe fletëthirrja për paraqitjen e parë para gjykatës, e cila u mbajt më 9 dhjetor.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave dhe se veprimet e tyre janë kryer si përpjekje të koordinuara në tri grupe: Fazliu, Smakaj dhe Kilaj.

Ndërsa, ndaj Thaçit rëndojnë akuza për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, për tre të tjerët akuza lidhen me tentativë pengimi dhe mosbindje, ndërsa Hajredin Kuçi ka dy akuza për mosbindje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco