Ish-diplomati britanik, John Duncan vazhdon dëshminë në Hagë

Ish-diplomati britanik, John Duncan vazhdon dëshminë në Hagë

08:20, 23/09/2025

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëshminë e John Duncan.

Duncan, i cili ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark,  dje tha tha se ai ishte autor i tekstit të marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.

“Unë isha i pranishëm, sepse unë e kam shkruar tekstin e marrëveshjes”, tha ai.

“Pra, ju si ushtri e Kosovës, bini dakord që të zbrisni nga malet, të shkoni në kampe t’i dorëzoni armët, dhe si shpërblim, ne do t’ju gjejmë juve një rol për ta luajtur në shoqëri, dhe kështu funksionoi ky proces. Ky është modeli që shfrytëzova unë për ta hartuar këtë marrëveshje”, tha ai.

Duncan tha se me nënshkrimin e marrëveshjes “nënkuptohej që të vazhdonte procesi që UÇK-ja, nga përceptimi ndërkombëtar, të shndërrohej nga një grup kriminelësh apo terroristësh, të ishin luftëtarë të lirisë që e kishin nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë”.

Diplomati tha se ai e dinte se çfarë do të ndodhte dhe në çfarë do të shndërrohej UÇK-ja dhe se këtë ua kishte shpjeguar komandantëve.

Në mesin e temave më të rëndësishme për të cilat ai foli, ishte organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën tha se nuk kishte strukturë, dhe kjo ua kishte vështirësuar punën në marrëveshjen për çmilitarizim.

“Si rregull, NATO-ja do të ftonte komandantët e lartë dhe do bëhej një marrëveshje në mes gjeneralit Clark dhe cilitdo që do ishte nga pala tjetër. Nuk do shkonim kurrë në nivel rajonal. Kjo shërben për të kuptuar strukturën hierarkike. Pra, si funksiononte atje”, tha ai gjatë dëshmisë.

“Kjo ishte vështirësia që po përballeshim atje sepse nuk kishin strukturë hierarkike. Ishin të organizuar ndryshe. Pushtetet ishin ndryshe në vende të ndryshme”, deklaroi ai në Gjykatën Speciale të Hagës.

Duncan gjatë dëshmisë së tij në Hagë, deklaroi se nuk ka parë asnjë dëshmi apo provë që Hashim Thaçi ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Nuk kam parë asnjë dëshmi as një provë të kësaj gjëje”, tha dëshmitari.

Ai e përshkroi rolin se si mund të jetë një komandant i përgjithshëm në një ushtri të rregullt.

“Komandanti i përgjithshëm lidhet kryesisht me komandimin dhe kontrollimin. Komandimi lidhet me të drejtën e lëshimit të urdhrave, udhëzimeve, direktivave, ndërkohë që kontrollimi ka në vetvete aftësinë për ta kryer këtë komandim dhe për të siguruar që urdhrat e dhëna apo udhëzimet e dhëna realizohen në mënyrë efektive. Pra, me fjalë të tjera kjo është një lloj realiteti apo politike që nuk të jep kompetenca absolute”, tha Duncan.

Dëshmitari theksoi se Thaçi dallohej që nuk ishte në këtë pozitë, vërehej edhe nga mënyra se si trajtohej nga krahu ushtarak gjatë takimeve.

“Sepse mënyra se si silleshin ata me atë gjatë negociatave është e tillë që ata e trajtonin atë si krahun politik- siç prisja unë që kishte një lloj ndikimi, një lloj autoriteti por jo si për dikë që kishte respekt ushtarak. Ishte e dukshme kjo. Domethënë, ata e respektonin gjeneralin Çeku sepse ai ishte oficer ushtarak me profesion dhe familja e tij kishte vuajtur në duart e serbëve dhe atë e shihnin si ushtarak profesionist”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco