Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka përmbledhur vizitën në Kosovë të Drejtorit për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në i Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane, Michael Reiffenstuel, më 10 dhe 11 gusht.
Në njoftim tregohet për takimet që kishte me krerët e shtetit si presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti që ambasada i referohet si “kryeministër në largim”, si dhe kreun e PDK’së, Memli Krasniqin dhe atë të LDK’së, Lumir Abdixhikun.
Ai pati takime edhe me perfaqësues të partive serbe të Kosovës, shoqërisë civile, si dhe komandantin e KFOR’it.
“Në takimet e tij me aktorët politikë të Kosovës, ai nënvizoi nevojën për të respektuar dhe zbatuar plotësisht vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që t’i jepet fund bllokimit politik. Ai gjithashtu përsëriti pritjet tona që të gjitha partitë që plotësojnë kriteret mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, thuhet në njoftim.
Po ashtu theksohet fakti se Gjermania i jep mbështetje përfaqësuesit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Petar Sorensen.
“Z. Reiffenstuel përsëriti mbështetjen e plotë të Gjermanisë për Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së Peter Sörensen në përpjekjet e tij për të çuar përpara Dialogun e Normalizimit të lehtësuar nga BE-ja. Angazhimi konstruktiv i Kosovës është thelbësor për suksesin e integrimit të Kosovës në BE, të cilin Gjermania e mbështet fuqimisht”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
© SYRI.net