Ish-Komandanti i NATO-s viziton Kosovën, takon krerët e dy partive më të mëdha opozitare

Ish-Komandanti i NATO-s viziton Kosovën, takon krerët e dy partive më të mëdha opozitare

10:40, 23/06/2024

Gjenerali amerikan Wesley Clark ka nisur vizitën e tij në Kosovë me vizitat në dy partitë më të mëdha opozitare.

Mëngjesin e së dielës është pritur nga kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherazi kryetar i Mitrovicës, Bedri Hamza, në selinë e partisë. Hamza, pas takimit, tha se gjenerali Clark në vitin 1999 ishte shpresë e besim se liria e paqja po vinin.

“Ne, duke e nderuar të kaluarën e kemi ndërtuar të tashmen dhe po e krijojmë një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët tanë, pa dallime, gjithandej Kosovës. SHBA-ja dhe miqtë ndërkombëtarë, ata që nuk na braktisën kurrë, janë hisedarët kryesorë të sukseseve në 25 vjet liri dhe 16 vjet pavarësi. Kosova është shtëpi e çdo amerikani”, tha Hamza.

Më pas, ish-Komandanti Suprem i NATO-s që udhëhoqi fushatën ajrore kundër forcave serbe më 1999 për çlirimin e Kosovës shkoi në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Aty është pritur nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili i dha dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”. Clark deklaroi se sa herë kthehet në Kosovë befasohet për progresin e bërë.

Ndërsa Abdixhiku falënderoi gjeneralin Clark për kontributin e tij në ndaljen e gjenocidit serb ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë.

“Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe”, tha Abdixhiku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco