Operacioni i Krimeve të Rënda kundër fajdes në tre qytete/ 7 të arrestuar

Operacioni i Krimeve të Rënda kundër fajdes në tre qytete/ 7 të arrestuar

17:10, 21/06/2024

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas operacionit të djeshëm në rajonin e Pejës dhe Prishtinës, sot ka vazhduar me aksionin e radhës në tre lokacione të ndryshme të rajonit të Gjilanit. Personi kryesor që ishte qëllimi i aksionit është Albert Rexhepi, që njihet si ‘Albert Malisheva’, i cili është në kërkim, ndërkohë dy të tjerë janë arrestuar.

Ndaj dy personave që u prangosën, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë. Burime bëjnë me dije se njëri nga dy të arrestuarit është vëllai i Albert Malishevës. Ky operacion policor u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim”. 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se deri më tash janë arrestuar 7 persona të përfshirë në veprat penale “fajde” dhe “detyrim”. Ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës në operacionet që pati dje dhe sot në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit.“Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik”, ka shkruar Sveçla në Facebook. Sveçla ka thënë se toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë ka përfunduar.

“Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar. Do ta vazhdojmë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në Republikën tonë”, ka vijuar Sveçla.

Ai ka një lutje për qytetarët, që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë që askush të mos jetë viktimë e individëve apo organizimeve kriminale. Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro, raporton Sinjali. Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve./GazetaSinjali-Syri.Net/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco