Kurti: Mos bashkëpunimi i Serbisë, pengesë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur

Kurti: Mos bashkëpunimi i Serbisë, pengesë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur

18:29, 01/11/2023

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me Ariane Bauer, drejtoreshë rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), deklaroi se Qeveria që ai drejton ka prioritet çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Në takim u tha se mungesa e informacioneve të besueshme nga Serbia për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me forcë, si dhe mosbashkëpunimi i Beogradit zyrtar, përbëjnë pengesa të mëdha në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.

Kurti veçoi rëndësinë e hapjes së arkivave shtetërore të Serbisë, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti serb.

Në takimin e përbashkët me kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, u vlerësua angazhimi i përbashkët dhe mbështetja e vazhdueshme nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Po ashtu, u bisedua edhe për mundësitë për të forcuar më tej bashkëpunimin me qëllimin e përbashkët për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Ndryshe, gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve rreth 1.600 janë ende të pagjetur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1.000 mbetje mortore.

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco