Kurti kujton pushtimin e Prishtinës me artikullin e New York Times: Çetnikët digjnin fshatrat dhe vrisnin burrat në sytë e grave

Kurti kujton pushtimin e Prishtinës me artikullin e New York Times: Çetnikët digjnin fshatrat dhe vrisnin burrat në sytë e grave

23:14, 22/10/2023

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar 111-vjetorin e pushtimit serb të Prishtinës, përmes një artikulli të New York Times të dhjetorit të vitit 1912.

Kurti shkruan se 22 Tetori i 1912 shënon një nga ditët më të errta në historinë moderne të shqiptarëve dhe të Kosovës.

“Çlirimi i qershorit 1999, historikisht dhe politikisht, është përgjigje ndaj pushtimit të tetorit 1912”, shkruan ai.

111 vite më pas, thotë kreu i qeverisë së Kosovës, Prishtina është një qytet modern me kulturë autentike si kryeqytet i Republikës së Kosovës, një republike parlamentare me demokraci të zhvilluar dhe me një të ardhme politike të qartë mes shteteve të tjera të Evropës.

Ai shton se ky rikthim ishte për të “kujtuar rrugën që i solli këtu dhe për ta mësuar historinë nga një brez në tjetrin!”

Postimi i plotë i Kryeministrit të Kosovës:

Në 111-vjetorin e pushtimit serb të Prishtinës

Çlirimi i qershorit 1999, historikisht dhe politikisht, është përgjigje ndaj pushtimit të tetorit 1912. Në udhëtimin e gjatë të popullit të Kosovës, janë disa periudha me përcaktueshmëri më afatgjatë se të tjerat. Por intervalet e shkurtëra të tyre në kohërrjedhje dhe dendësia e madhe e ngjarjeve në to, i kanë mënjanuar disa ngjarje në margjinat e historisë, siç ka ndodhur me ditët e pushtimit serb të Kosovës gjatë Luftës së Parë Ballkanike. E, ndoshta, ato që janë aq të tmerrshme e të trishtueshme, njeriu disi edhe preferon t’i harrojë ca, që t’i ec jeta përpara më me lehtësi.

Data 22 tetor e vitit 1912, shënon një nga ditët më të errëta në historinë moderne të shqiptarëve dhe të Kosovës! Atë ditë, 111 vite më parë, njësitet çetnike serbe dhe ushtria e rregullt e Serbisë e pushtuan Prishtinën dhe vranë mijëra shqiptarë civilë. Katër ditë më parë, më 18 tetor 1912, rreth 255.000 ushtarë serbë të ndarë në tre grupime u nisën në sulm në tre drejtime, një ditë pasi Serbia i kishte shpallur luftë Perandorisë Osmane. Prej tyre, Armata e Tretë e Serbisë me rreth 76.000 ushtarë, e komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq, e kishte për detyrë pushtimin e Kosovës.

Beteja e parë e kësaj lufte ishte zhvilluar dy ditë më herët, kur vojvoda serb Vojisllav Tankosiq, në krye të një çete çetnike e sulmoi pikën kufitare në Merdare. Në ditën e tretë të luftimeve çetnikëve iu bashkua edhe ushtria e rregullt serbe, bashkë me të cilët i mposhtën trupat shqiptare. Nga Merdara, ata vazhduan luginës së Llapit në drejtim të Prishtinës, teksa rrugës hasën në rezistencë te mali Kulina, aty ku bashkohen fshatrat Tenezhdoll, Lupç dhe Vranidoll. Njësite të tjera ushtarake serbe, nga Medvegja ia mësyen Prishtinës në drejtim të fshatrave Sfircë dhe Prapashticë.

Pasditen e 22 tetorit 1912, Vojisllav Tankosiq u fut në Prishtinë në krye të trupave çetnike, duke i hapur rrugë ushtarëve të Armatës së Tretë të Mbretërisë së Serbisë. Krimet mbi popullsinë civile të Prishtinës dhe fshatrave të saj i kryen bashkë. Për këtë, Vojisllav Tankosiq u gradua major. Të asaj kohe janë edhe këto fotografi, ku në njërën Vojisllav Tankosiq rri në gjunjë mes çetnikëve të tjerë, kurse në fotografinë tjetër ai ka pozuar me uniformë ushtarake serbe.

Trupat çetnike dhe ushtarake serbe vranë mijëra burra shqiptarë dhe mijëra të tjerë i burgosën, siç shihet edhe në një fotografi, në të cilën një grup shqiptarësh nga Prishtina, janë ulur në tokë të rrethuar nga ushtarë serbë. Në medaljen ushtarake serbe për të dekoruar ata që e pushtuan Kosovën, mes emrave të 20 qyteteve, ai i Prishtinës është shkruar në gjethen e parë poshtë në anën e djathtë.

Në një artikull të gazetës amerikane The Neë York Times, të datës 31 dhjetor 1912, me titull “Ushtria serbe la pas një shteg me gjak”, duke i cituar raportet e autoriteteve të Austro-Hungarisë, thuhet që në afërsi të Prishtinës u vranë 5.000 njerëz. Sipas këtyre raporteve, çetnikët dhe ushtarët serbë i digjnin fshatrat, i vrisnin burrat në sytë e grave dhe i therrnin fëmijët me bajoneta.

Disa muaj më pas, në vitin 1913, fotografi zviceran Fred Boissonnas e ka realizuar një fotografi që e tregon Prishtinën në një kohë kur qyteti ishte shkretuar nga humbja e mijëra njerëzve të vrarë dhe shumë të tjerëve të burgosur. Lufta e Parë Ballkanike shkaktoi vdekjen e mijëra shqiptarëve. Sipas raportimeve të korrespodentëve të huaj, vetëm në Kosovë, ushtria serbe dhe grupet çetnike i vranë mbi 25.000 shqiptarë. Viti 1912, kur Serbia e pushtoi Kosovën, ishte një mot kobzi që do të pasohej nga i gjati shekull i njëzet, gjatë të cilit Serbia pushtuese ushtroi dhunë sistematike, shpronësoi e kolonizoi, përndjeku, shtypi, burgosi, dhunoi, vrau dhe masakroi mijëra e mijëra shqiptarë ndër disa breza dhe kreu gjenocid, deri në çlirimin e Kosovës më 1999.

Saktë 111 vite më pas, Prishtina është një qytet modern me kulturë autentike si kryeqytet i Republikës së Kosovës, një republike parlamentare me demokraci të zhvilluar dhe me një të ardhme politike të qartë mes shteteve të tjera të Evropës.

Për ta kujtuar rrugën që na ka sjellur këtu dhe për ta mësuar historinë nga një brez në tjetrin! Për gjallërinë tonë si popull e komb dhe për të ardhmen tonë politike si shoqëri dhe shtet!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco