VV pa kompromise për veriun, opozita e cilëson të dështuar takimin Kurti-Vuçiç

VV pa kompromise për veriun, opozita e cilëson të dështuar takimin Kurti-Vuçiç

10:05, 05/09/2023

Lëvizja Vetëvendosje tha se pret që në takimin e 14 shtatorit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Bruksel, të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Po ashtu në Bruksel, zyrtarët e Lëvizjes, presin të ketë zgjidhje për tensionet në veri të vendit. Por, opozita e ka kritikuar Qeverinë se, siç tha, çështjen e veriut e ka zhvendosur në kuadër të dialogut në Bruksel.

Pas një pauze katër mujore dy udhëheqësit Kurti e Vuçiq i kthehen tryezës së diskutimeve në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje për uljen e tensioneve, por edhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Por, deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, e ka akuzuar Serbinë se po i shkel marrëveshjet derisa thotë se me çdo kusht do ta mbrojnë kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial në veriun e vendit.

“Marrëveshja e Ohrit është shkelur në vazhdimësi nga Serbia dhe presim që të dikutohet për këtë. Presim nga ndërmjetësit që të jenë më të balancuar në këtë proces. Jemi të interesuar që me fqinjin tonë verior t’i mbyllim një herë e mirë çështjet’’, tha ai.

Por, partitë në opozitë e kanë kritikuar Qeverinë se çështjen e brendshme të Kosovës po e bartë në Bruksel, duke biseduar për marrëveshje kompromisi. Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj, tha se nuk pret asnjë marrëveshje në takimin e 14 shtatorit Kurti-Vuçiq. Sipas tij, Qeveria ka devijuar në proces të dialogut duke mos pasur një agjendë të qartë.

‘’Komplikimin në veri e ka bërë pamaturia e Qeverisë. Ne e dimë që është bërë një kontribut bashkë me partnerët për të futur veriun në institucione. Nuk është dashur të bëhët veriu pjesë e bisedimeve në Brulsel”, tha Hajdar Beqaj, deputet i PDK-së.

Papërgjegjshmëria e kryeministrit Kurti ka bërë që për çështjet e brendshme të diskutohen në Bruksel tha deputeti i LDK-së, Agim Veliu.

“Në asnjë mënyrë nuk është dashur që çështja e veriut të shkojë në Bruksel. Kjo është një çështje e papërgjegjshme e kryeministrit Kurti. Ky takim do të jetë i dështuar sepse do të diskutohet vetëm për pasojat që janë shkaktuar në veri”, tha Veliu.

Kritikave të opozitës iu përgjigj deputet i Vetëvendosjes, Agon Batusha.

“A është kjo opozitë që e ka bërë marrëveshjen e Asociacionit në Bruksel. A është kjo çështje e brendshme. Opozita duhet t’i shikojë marrëvehsjet që i ka bërë dhe pasojat që ja ka shkaktuar Kosovës”, tha ai për RTV21.

Përfaqësuesi i posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërkohë ka shkruar për përgatitjet e takimit Kurti-Vuçiqi, me përqçndrim në normalizim të marrëdhënieve dhe zbatimin e Deklaratës së Bashkimit Evropian të 3 qershorit. Lajçak tha se në takim do të ngritët edhe shqetësimi për gjendjen në veri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco