'Jo' e madhe për presidenten, Abdixhiku e Krasniqi s'i shkojnë në takim Osmanit

'Jo' e madhe për presidenten, Abdixhiku e Krasniqi s'i shkojnë në takim Osmanit

15:18, 22/06/2023 Nga Sh.A

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka ftuar për një takim partitë parlamentare në Kosovë.

Ftesë kanë të gjitha partitë parlamentare.

Ftesat e Presidentes kanë shkuar dje tek liderët e partive politike, derisa takimi është thirrur për sot pasdite.

Por, presidentja sot ka marrë dy përgjigje negative nga dy liderët e partive opozitare, LDK e PDK, shkruan Syri.net Kosova

Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se të mërkurën ka pranuar një letër nga presidentja, Vjosa Osmani, e cila e ka ftuar në takim, pas një propozimi nga kryetari i AAK, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se ka refuzuar ftesën, pas qëndrimit të Osmanit për zhvillimet e fundit në vend, përcjell Syri.net Kosova

“Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët.Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur negativisht ftesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për takim , pasi një gjë të tillë e kishte kërkuar kreu i AAK, Ramush Haradinaj.

Abdixhiku ka thënë se LDK ka përcjellë me shqetësim zhvillimet politike në vend dhe specifikisht atë që e ka quajtur qasje të papërgjegjshme të kryeministrit Albin Kurti në raport me SHAB, BE dhe NATO. 

Në letrën që kreu i LDK ia ka kthyer presidentes, thuhet se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti dhe veprime e pa koordinuara kanë rrezikuar sovranitetin e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sipas pikëpamjeve tona, interesat e vendit tonë, përfshirë dhe ato të ruajtjes e të shtrirjes së sovranitetit të plotë në gjithë territorin e Kosovës, kanë gjasë vetëm nëse në krah kemi aleatët tanë, që popullin tonë e ndihmuan në rrugën e lirisë, pavarësinë dhe të demokracisë”, thuhet në letër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco