Deputetja e LV, Kryeziu: Drafti i Ramës nuk i shërben Kosovës - Asociacioni është kërkesë e Vuçiçit!

20:05, 08/06/2023

Arbëreshë Kryeziu Hyseni, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje gjykon se paraqitja e një draft-Asociacioni për komunat me shumicë serbe nga Kryeministri i Shqipërisë nuk shkon në favor të Republikës së Kosovës.

Znj.Kryeziu ishte e ftuar për një intervistë sot në SYRI TV nga gazetarja Armela Ferko, e cila e pyeti:

“Një draft që dërgohet nga z Rama pa një shpjegim të qartë se nga cilët ekspertë të të huaj është bërë, i dërgohet Presidentit të Francës Macron, Kancelarit të Gjermanisë Scholtz, por edhe SHBA-së... Si e shihni këtë situatë?"

“Në fakt unë e di që Kryeministër i Republikës së Kosovës është z. Albin Kurti – tha deputetja Kryeziu, -  dhe ajo çfarë po ndodh në Kosovë sigurisht që po shqetëson çdo qytetar të Republikës së Kosovës, sepse sigurisht që vëmendja është te veprimet që po bën qeveria, për të cilat unë besoj se përkrahja është më e madhe së ndonjëherë nga ana e qytetarëve.

Përsa i përket reagimit të Kryeministrit Rama dhe të draftit që ai ka dorëzuar, sigurisht që është e paqartë çfarë ai draft përmban. Nuk e di nëse ka qenë momenti i duhur që z. Rama e ka bërë një veprim të tillë aq më tepër kur besoj se Kosova ka nevojë për përkrahje dhe jo për ngacmim të mëtejshëm ët situatës.

Besoj se nuk i ka shërbyer Kosovës ky veprim që Rama ka bërë. Nuk besoj që shkon në favor të Republikës së Kosovës ai veprim që ka bërë.

Duhet të kuptojmë një gjë që nuk jemi në kuadër kur duhet të flasim për drafte, se si do të dukej një Asociacion, sepse të mos harrojmë që kjo para së gjithash dhe mbi të gjitha është kërkesë e Vuçiçit dhe prandaj, qysh prej kësaj kërkese të Vuçiçit e kemi atë situatë në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Ajo çfarë duhet të diskutohet dhe të flitet tani është që duhet të ndërmerren masa dhe veprime konkrete ndaj strukturave kriminale ose largimin e strukturave kriminale që po shkaktojnë tensionim në pjesën veriore, që qartazi po e kuptojmë që po funksionojnë nën urdhrat që po u vijnë direkt nga Beogradi, kryesisht nga Vuçiçi atje.”/ar/sh/SYRI.NET

Ndiqeni intervistën e plotë në videon më sipër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco