Hill: Jemi të kënaqur me Vuçiç si partner, Kurtin nuk e di nëse e kemi më të tillë

Hill: Jemi të kënaqur me Vuçiç si partner, Kurtin nuk e di nëse e kemi më të tillë

19:13, 08/06/2023

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka dhënë një intervistë të gjatë për Zërin e Amerikës (VOA), ku ka folur për situatën aktuale në veri dhe marrëdhëniet e ShBA-së me Kosovën. 

Hill ka theksuar se Amerika ka probleme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se ai duhet të bëjë ndryshime, nëse dëshiron të llogaritet si mik dhe partner nga ndërkombëtarët.

Ai ka thënë se ka disa probleme thelbësore me Kurtin, duke shtuar nëse ende “mund ta konsiderojmë si partner”.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.” – theksoi ambasadori Hill.

Ai ka përmendur edhe përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke thënë se Kurti duhet të bëjë disa ndryshime, nëse dëshiron që ende të llogaritet si mik dhe partner.
“Më duhet të them dhe kërkoj ndjesë për shprehjen, se është një proces. Dhe kjo nuk do të ndodhë në një moment, por në një periudhë kohore. Por mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.” – deklaroi Hill.

Por ambasadori Hill kishte krejt qëndrim tjetër në lidhje me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq, duke i konsideruar si partner të mirë.
“Ne e konsiderojmë ai si një partner të mirë, ai dhe qeveria e tij janë partnerë të mirë në këtë proces. Dhe shpresojmë që kështu të vazhdojë. Ne do të donim që ai të bënte ç'është e mundur për të shtensionuar situatën dhe shohim që tashmë po shohim shenja se zbatohet. Kjo është shumë pozitive. Isha i pranishëm në bisedimet (me Escobarin, Vuçiçin dhe Lajçakun,) natën tjetër dhe mund t'ju them se ato shkuan përtej krizës aktuale në Kosovë.

Mendoj se ka një mirëkuptim me autoritetet në Serbi se si të ecim përpara, t'i bëjmë gjërat së bashku. Shpresoj që edhe populli i Serbisë do ta kuptojë se ne duam të bashkëpunojmë shumë më tepër politikisht, ekonomikisht, në fushën e sigurisë, që është një nga arsyet e vizitës së gjeneralit Haëkinson (i Gardës Kombëtare të SHBA-së). Ne jemi shumë të interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë - të paktën aq sa janë të interesuar njerëzit dhe qeveria në Serbi për të. Ne e ndjejmë se Serbia po bëhet një partner gjithnjë e më i mirë për ne.” – vlerësoi ai.

Ambasadori Hill foli edhe për pasojat në marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Kosovës.

"Ajo që kemi thënë për Kosovën është se do të ketë pasoja në marrëdhëniet tona dypalëshe. Ishte një deklaratë shumë e fortë ajo çfarë tha sekretari (Antony) Blinken duke dënuar veprimet e zoti Kurti për dërgimin policisë së posaçme në veri dhe për dështimin që të punojë dhe komunikojë si duhet me partnerët. Këto janë akuza të rënda ndaj zotit Kurti dhe shpresoj që zoti Kurti mund ta kuptojë se duhet të veprojë në një mënyrë që është ndryshe nga ajo që ka vepruar. Dhe kështu nuk do të flas më me të." - shtoi Hill.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco