Kosovë, votohet ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rëndësia e tij sipas kryeministrit Kurtit

Kosovë, votohet ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rëndësia e tij sipas kryeministrit Kurtit

16:21, 08/06/2023

"Me 12 vjet vonesë, sot u votua në parim Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Falënderoj të gjithë deputetët për kontributin dhe mbështetjen me votën PËR. Ligji i ri sjell lehtësi të votimit dhe shpejtësi të numërimit, e veçanërisht është në shërbim të mërgatës dhe grave."

Fjala e plotë e Albint Kurtit, Kryeministrit të Kosovës, sot në seancën e sotme të Kuvendit:

I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendëskryeministër, ministra të kabinetet qeveritar,
Të dashur qytetarë,

Si Kryeministër i vendit, por edhe si Kryetar i partisë politike më të madhe në vend, natyrisht që shpreh kënaqësinë dhe falënderimin tim në lidhje me punën e bërë për të përfunduar me sukses këtë reformë zgjedhore.

Në radhë të parë, dua të falënderoj subjektet politike pjesëmarrëse në Grupin Punues të Komisionit ad-hoc për angazhimin, punën dhe pajtueshmërinë rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të bëra në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Po ashtu, falënderoj miqtë ndërkombëtarë për kontributin e tyre profesional me rekomandimet e vazhdueshme, pas të gjitha cikleve zgjedhore në Kosovë, tani e mbi një dekadë.

Në këtë drejtim, dua të theksoj posaçërisht Misionin Vëzhgues të BE dhe Misionin Vëzhgues të Mbretërisë së Bashkuar, për rekomandimet e shumta profesionale, të cilat janë pranuar dhe integruar në tërësi në draftin e ofruar për votim sot.

Falënderoj Misionin e OSBE-së në Kosovë për gatishmërinë dhe përkrahjen profesionale dhe infrastrukturore për realizimin e kësaj reforme. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe shoqërinë civile për qëndrimin kritik dhe angazhimin e vazhdueshëm për realizimin e reformës zgjedhore dhe rekomandimeve të tyre.

Krejt në fund, jo më pak, dua të falënderoj KQZ-në për angazhimin dhe punën profesionale, për ndihmën e jashtëzakonshme me analiza e studime profesionale dhe rekomandime konkrete për realizimin e kësaj reforme zgjedhore.

Përpjekjet për reformë zgjedhore patën filluar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, të cilat u patën karakterizuar me parregullsi dhe manipulime të shumta sa që u cilësuan nga misione të ndryshme vëzhguese ndërkombëtare si “vjedhje industriale e votave”. Kjo tentative për reformë zgjedhore nuk arriti të rrumbullaksohej për shkak te mungesës se vullnetit politik te asaj kohe dhe zhvillimeve te tjera politike.

Siç e kemi thënë edhe më parë problemi me proceset zgjedhore nuk ka pasur të bëjë shumë me sistemin zgjedhor se sa me vet procesin e administrimit të zgjedhjeve. Pas secilit proces zgjedhor ka pasur raporte të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve por edhe të organizatave vendore të cilat kanë shpërfaqur problemet dhe mangësitë me te cilat janë karakterizuar zgjedhjet ku janë dhënë edhe rekomandime për përmirësimin e tyre. Raporti i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e

Zgjedhjeve Lokale në Kosovë i publikuar në shkurt të vitit 2022, adresoi 23 rekomandime për përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen, ku disa prej tyre përfshinin domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore.

Ngjashëm, edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2022 për Kosovën, në fushën e demokracisë ka renditur çështjet që ndërlidhen në proceset zgjedhor dhe me mos adresimin e tyre për vite me radhë. Pjesëmarrja e mërgatës në proceset zgjedhore dhe vështirësitë e tyre në realizmin e kësaj të drejte janë arsyeja e radhës për domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore, e cila tashmë mundëson realizimin e të drejtës së tyre për të votuar.

Ndër çështjet më të rëndësishme të cilat rregullohen me këtë projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi votave/fletëvotimeve për kandidatët e subjekteve politike, dhe mbështetja financiare shtesë për parti të cilat krijojnë hapësirë për numër më të madh të deputeteve gra sa është kuota e përcaktuar.

- Projektligji i ri e parasheh regjistrimin online përmes një platforme që do ta krijojë KQZ në mënyrë që votuesit nga mërgata të mos kenë nevojë të dërgojnë dokumente të shumta qoftë përmes email-it ose përmes Postës. Me platformën e regjistrimit online synohet të zvogëlohen barrierat teknike e procedurale, por edhe të ulet kostoja e të rritet efikasiteti.

- Me projektligjin e ri, mërgata do t’i ketë tri mënyra të votimit. E para, votimi fizikisht në ambasada dhe konsullata, e dyta, votimi duke i dërguar me postë të brendshme në adresë të ambasadës, dhe e treta mbetet mënyra e vjetër duke i dërguar ato në adresë të KQZ-së.

- Me ligjin e ri e drejta e votës u takon vetëm atyre që janë të regjistruar në regjistrin civil, respektivisht ata që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.

- Me këtë projektligj ruhet shpejtësia e numërimit të votave për parti politike si dhe shpallja e rezultateve disa orë pas mbylljes së vendvotimeve. Por, projektligji gjithashtu adreson shkakun kryesor të rinumërimeve duke bartur numërimin e votave për kandidatët në qendrat komunale të numërimeve, përmes një procesi transparent gjë që mundëson certifikim më të shpejt të rezultateve zgjedhore.

- Me projektligjin e ri KQZ ndan fonde publike shtesë në vlerën 1% të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik për secilin mandat të fituar nga gratë mbi kuotën 30% në momentin e certifikimit.

Ligji i ri për zgjedhjet do t’i jep fund padrejtësisë së gjatë që iu është bërë të gjithë mërgimtarëve, shtetasve të Kosovës. Lidhja e tyre e fuqishme me vendin e vet, kontributi i tyre i pamohueshëm në çdo kohë e në çdo rrethanë e bënë edhe më të domosdoshme nevojën që ata të jenë sa më shumë pjesë aktive e vendimmarrjes në atdheun e tyre.

Ndër vite ata u sfiduan dhe u maltretuan me procedura të komplikuara e burokratike për regjistrim, shpenzuan dhe u munduan për të zënë në kohë afatet për dërgesat postare, sakrifikuan ditët e pushimit e obligimet e tyre për të qenë fizikisht në Kosovë për të votuar, dhe shpeshherë u zhgënjyen kur për arsye teknike e të neglizhencave nuk i gjenin emrat në listat e votuesve.

I gëzohemi shumë faktit që tashmë të gjithë mërgimtarëve që gëzojnë të drejtën e tyre për votim, do t’ju ofrohet mundësia që ta ushtrojnë atë duke zgjedhur mundësitë më të përshtatshme për ta, qoftë duke votuar në zyrat e ambasadave e konsullatave, qoftë duke votuar përmes postës brenda shtetit përkatës apo drejt Kosovës.

Shpresojmë që sado pak me votimin e këtij Ligji sot do t’ju dalim hak të gjithë mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin tyre politik dhe me durim priten që shteti i tyre t’i bëjë edhe me krenarë kur atyre do të ju mundësohet votimi në shtetet ku jetojnë e punojnë.

Ju faleminderit të gjithëve!
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco