RTK: Draft-statuti i Ramës për Asociacionin ngre reagime të shumta në Kosovë

RTK: Draft-statuti i Ramës për Asociacionin ngre reagime të shumta në Kosovë

16:05, 08/06/2023

Nga Jeton Musliu, RTK Live

Pas deklarimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se ia ka  dorëzuar një draft statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidentit francez Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, kanë pësuar reagime të shumta në Kosovë. Deputetë të partive politike janë shprehur pro dhe kundër këtij veprimi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, deklaroi se duke dërguar statut për ‘Asociacionin’ në Berlin e Paris, Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin.

“Fort i kapur diku për krim e korrupsion duhet të jetë Edi Rama, gjersa detyrohet t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar”, ka shkruar deputeti Muja.

E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila tha se nuk e kanë parë draft-statutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama.

“Përtej asaj se një iniciativë ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkoj keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se raportet me Shqipërinë janë më tepër se fqinjësore. Kusari-Lila u shpreh se draft-statuti i Ramës para se të shkojë Francë dhe Gjermani, duhet të jetë i Kosovës.

 “Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka deklaruar se kompetente për propozimin e statutit të Asociacionit është Qeveria e Kosovës.

 “Të jemi të qartë e të saktë; kompetent për propozimin e statutit të asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë, është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sovraniteti i shtetit nuk ka qenë asnjëherë më i rrezikuar.

 “Është reduktuar sovraniteti tek njësitë tona të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyre, e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik”, tha ai.

“Për ne është me rëndësi të thuhet se ashtu siç e ka pasur kryeministri Kurti mbështetjen në shumë tema, e ka edhe tash në mbrojtjen e pikave 1 dhe 31 të doganave”.

Kurse nënkryetari i Kuvendit, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka mirëpritur propozimin e kryeministrit Edi Rama mbi një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ai madje thotë se këtë draft e ka parë, megjithatë, të njëjtin ka refuzuar ta komentojë. Këtë hap të Ramës, Hoxhaj e ka cilësuar si “të rëndësishëm dhe të mirë”.

Reagime për këtë veprim të Ramës ka pasur edhe në Tiranë.

Deputeti demokrat Klevis Balliu shprehet se Rama është haptas kundër Kosovës.

Sipas tij, kryeministri është në sytë e gjithkujt në botë si një oficer i Vucicit, dhe se sipas tij ai ka urrejtje raciste për Kosovën, njësoj si Serbët. “Reagimi i plotë Rama, haptas kundër Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco