Albin Kurti përpiqet të ndjekë kampionët e xhudos: Rrugëtimi i Majlindës është shembull!

Albin Kurti përpiqet të ndjekë kampionët e xhudos: Rrugëtimi i Majlindës është shembull!

19:12, 07/06/2023

Rrugëtimi i Majlinda Kelmenit është një shembull që Albin Kurti mundohet ta ndjekë në pozitën e kryeministrit të Kosovës.

E ka thënë vetë i pari i qeverisë, teksa ka marrë pjesë në demonstrimin e xhudos nga Kampionia Olimpike e Xhudos, Majlinda Kelmendi, në sallën sportive “Minatori”, në Mitrovicë. Në këtë aktivitet i cili zhvillohet në kuadër të programit "Kosova, shteti i xhudos" dhe ka për qëllim promovimin e vlerave dhe sportit të xhudos, Kurti ka shprehur kënaqësinë dhe nderin që në atë mes ishte e pranishme kampionia e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi, njofton RTK.

"Rrugëtimi i Majlindës është shembulli të cilin të gjithë ju duhet të synoni ta ndiqni në cilindo angazhim tuajin në jetë. T’ju them të drejtën, po mundohem ta ndjekë edhe unë personalisht në detyrën që kam", ka thënë Kurti. "Majlinda, me rrugëtimin e saj të karrierës sportive u bë simbol i shpresës dhe i përkushtimit në Republikën e Kosovës e anembanë botës. Sot, me kokën lartë dhe me shumë thjeshtësi, Majlinda vazhdon të mbetet sinonim i inspirimit dhe i suksesit për secilin prej nesh. Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia ndaj suksesit – janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: Kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë". 

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka vlerësuar lart edhe kontributin e trajnerit të xhudos Driton Kuka, i cili që nga viti 2009 i ka sjell Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, 87 të arta, përfshirë edhe 3 medaljet e arta olimpike. 

"Një ndër trajnerët më të mirë të botës, kryemjeshtri Driton Kuka, që nga viti 2009 i ka sjellur Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, prej tyre 87 të arta, përfshirë këtu edhe 3 medaljet e arta olimpike. Për këtë, sporti i xhudos në përgjithësi, ndërkaq në veçanti Toni, Majlinda, Distria e Nora, janë pjesë e pandashme e historisë tonë kolektive për shtetndërtim dhe zhvillim dhe suksese. Këto rezultate të përvitshme të xhudos, kanë shërbyer si inspirim për neve që së bashku me Federatën e Xhudos ta iniciojmë dhe ta zhvillojmë programin “Kosova, shtet i xhudos”", ka thënë ai. 

Nën praninë e nxënësve të shkollave të ndryshme mitrovicase, Kurti ka njoftuar këta ta fundit se me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët mësimore, me ç’rast nxënësit do të fillojnë të ushtrojnë sportin e xhudos nëpër shkollat e tyre.

"Që nga fillimi i këtij viti, ky program po troket në derën e secilës shkollë në Kosovë. Kështu si ju sot, çdo ditë tjetër edhe bashkëmoshatarët tuaj kudo në Kosovë po njoftohen me sportin dhe teknikat e xhudos përmes demonstrimeve që i bëjnë kampionët tanë. Me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët tuaja mësimore. Rrjedhimisht ju do të filloni të ushtroni sportin e xhudos nëpër shkollat tuaja. Jam shumë i lumtur që përfundimin e këtij viti shkollor po e bëni duke parë xhudo, ndërsa vitin e ardhshëm do ta filloni duke ushtruar xhudo. Edhe jam shumë i bindur që në secilën shkollë do të identifikohen shumë talente të cilëve do të ju ofrohet mundësia të ndjekin rrugën e Majlindës drejt sukseseve kulminante", është shprehur ai. "Tani është koha që xhudo atë që e ka bërë për Kosovën ndër vite, ta bëjmë ne për ta". 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco