Presidentja e Kosovës, Osmani, dekoron gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadarenë

Presidentja e Kosovës, Osmani, dekoron gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadarenë

17:06, 07/06/2023

Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, në vargun e vlerësimeve të tij të shumta, shtoi edhe një më tepër. 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi mjeshtrin e fjalës me urdhrin “Hasan Prishtina”.

Kadare tha se ndjehet i prekur. “Ju falënderoj dhe jam shumë i prekur për këtë nderim kaq të madh”, tha Kadare. “Çdo njëri, çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë”.

Paraprakisht, Presidebtja Osmani, duke shprehur konsideratat më të larta për shkrimtarin e papërsëritshëm shqiptar, tha se kjo dekoratë, është mirënjohje e tërë popullit të Kosovës, njofton RTK.

“Të gjithë së bashku si mirënjohje, në emër të popullit të Kosovës, nderojmë shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare”, tha presidentja Osmani. “Vepra e tij është një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve e historisë së tyre dhe e dokeve, traditave, e mbi të gjitha të gjuhës shqipe”.

Duke iu drejtuar shkrimtarit me rrënjë nga Gjirokastra e gurtë, e që jetën e kalon mes Tiranës dhe Parisit, presidentja Osmani tha se vetëm prezenca e tij, në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë, është edhe një mesazh i fuqishëm për letërsinë shqipe dhe kulturën tonë përgjithësisht.

“U jemi shumë mirënjohës për kryeveprat letrare që i keni shkruar, e të cilat përbëjnë një ndër thesaret më të rëndësishme kulturore tona”, tha Osmani. “Ju keni qenë një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë”.

Dukshëm i emocionuar, shkrimtari Kadare tha se është fat i rrallë që një popull, të të nderojë dhe të të quajë bashkëmbrojtës të të drejtave të tij e lirive të tij.

“Sidomos kur si popull e ka rrugën e historisë të vështirë, e që për fat të keq, Shqipëria e ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forcat tjera të huaja”, risolli ai në vëmendje, copëza të historisë shqiptare.

“Për fat të mirë, ajo i ka kapërthyer gjatë shekujve në mënyra të ndryshme, i ka kapërthyer vështirësitë e errëta të historisë, qiellin dimëror dhe gjithçka tjetër që mund ta pengojë një popull të marrin frymën e tij”.

Duke shprehur mirënjohjen për këtë nderim, Kadare tha se nuk ka nderim më të madh për një intelektual shqiptar, sesa kjo që e përjetoi ai sot.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të shpërngulet në Paris.

Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.

Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Që nga v. 1994, është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), kurse në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.

Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ismail Kadare më 23 qershor 2012 u nderua me çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsi", një nga çmimet me prestigjoze letrare në botë.

Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur "Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s" 2013.

Sidoqoftë, veprat më të njohura të tij mbetën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur” etj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco