Osmani: Ndëshkimi i grupeve kriminale, rruga e vetme për stabilitet

Osmani: Ndëshkimi i grupeve kriminale, rruga e vetme për stabilitet

12:19, 06/06/2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, citohet t’u ketë thënë të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobarit dhe Mirosllav Lajçakut, se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.

“Prandaj presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, u tha Osmani, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes.

Osmani u takua me dy përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së më 6 qershor, në ditën e dytë të vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd.

Ata po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin në tentim për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës - Zvecan, Leposaviq dhe Zubtin Potok.

Në këto komuna, serbë lokalë po protestojnë rregullisht prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale - të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Një ditë më parë, ata i kërkuan Kurtit qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Osmani përmendi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja gjatë takimit të saj.

“Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, tha Osmani.

Ajo gjithashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar të punojë në bashkëpunim me aleatet e saja ndërkombëtare.

Gjatë vizitës dyditore në Prishtinë dhe Beograd, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, kanë nisur takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Ata pritet që gjatë ditës të takohen edhe me përfaqësues të partive në Kosovë, përshirë Listën Serbe.

Më vonë gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë drejt Beogradit, ku, sipas njoftimeve, në orën 18:30 do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco