‘Presioni ndërkombëtar është për formimin e Asociacionit’

‘Presioni ndërkombëtar është për formimin e Asociacionit’

21:50, 03/06/2023

Analistët vlerësojnë se presioni i shtuar ndërkombëtar mbi Kosovën pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në veri të vendit lidhet me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia janë pajtuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimit Evropian.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emir Abrashi, në një prononcim për Telegrafin tha se pala kosovare nuk ka mundësi që t’i ikë formimit të Asociacionit dhe sipas tij, çdo vonesë tutje në këtë aspekt ndikon negativisht pasi “palës serbe i rritet pazari”.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emir Abrashi 

Sipas tij, deri më tani Kosova ka pasur mundësinë që të formojnë Asociacion pa kompetenca ekzekutive, mirëpo tashmë “me veprimet e fundit të Qeverisë jemi duke shkuar drejt një Asociacioni që ka autonomi më të madhe”.

“Presioni i bashkësisë ndërkombëtare përveç që është për shkak të legjitimitetit që u mungon kryetarëve është edhe për formimin e Asociacionit. Dhe qeveria e institucionet e vendit duhet sa më parë ta kuptojnë se çdo vonesë do të jetë negative e do të detyrohemi të bëjmë lëshime edhe më të mëdha”, u shpreh Abrashi.

Ai tutje tha se ekzekutivi duhet të diskutojë edhe me aleatët e vendit, Uashingtonin dhe Brukselin për të ua bërë të qartë se nëse kryetarët aktualë tërhiqen, duhet të garantojnë që Beogradi nuk do t’u bëjë presion qytetarëve serbë që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

“Po ashtu, edhe qeveria duhet ta tregojnë gatishmërinë për implementimin e marrëveshjeve që lidhen me asociacionin dhe t’u japë mesazh serbëve që nëse duan që ai të formohet duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe institucioneve të Kosovës”, theksoi ai.

E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se deklaratat e fundit nga bashkësia ndërkombëtare janë edhe presion mbi Serbinë që komuniteti serb të kthehet në institucionet e Kosovës dhe të marrë pjesë në zgjedhje.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi 

“BE-ja sot ishte shumë më e qartë. Kërkoi që të krijohen kushtet sa më parë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri. Kjo nënkupton edhe presion mbi Serbinë që komuniteti serb të kthehet në institucione dhe respektivisht të marrë pjesë në zgjedhje. Dhe e dyta që të implementohet menjëherë marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, deklaroi ai

Sipas tij, nëse zgjedhjet e reja të parakohshme në komunat në veri të vendit organizohen brenda periudhës 2-3 mujore, qytetarët serbë do të marrin pjesë në zgjedhje sepse presioni ndërkombëtar do të rritet mbi Beogradin.

“Palët duhet të darkohen që kryetarët aktualë të dorëhiqen, pra të arrihet një zgjidhje politike për organizimin e zgjedhjeve. Nëse do të ketë zgjedhjeve të reja brenda një afati 2-3 muaj atëherë besoj se edhe qytetarët serbë do të marrin pjesë në zgjedhje sepse Beogradit do t’i bëhet presion ndoshta edhe më i madh që t’i detyrojë qytetarët në veri që të kyçen në institucione. Por, edhe Kosova duhet të jep premtime të fuqishme që do të fillojë së zbatuari marrëveshjen për Asociacionin”, tha Arifi.

Ai shtoi se gjendja në veri është e jashtëzakonshme, teksa theksoi se organizimi i zgjedhjeve të reja është opsioni i vetëm për shtensionimin e situatës.

“Në veri aktualisht kemi gjendje të jashtëzakonshme edhe pse nuk është e shpallur sepse në momentin që ushtria intervenon në një çështje civile, kemi gjendje të jashtëzakonshme. Kemi mungesë të institucioneve publike dhe politike në veri. Prandaj, organizimi i zgjedhjeve të reja është opsioni i vetëm për shtensionimin e situatës në veri”, përfundoi Arifi.

Në komunat në veri të vendit për gjashtë ditë me radhë kanë protestuar grupe të qytetarëve serbë duke kundërshtuar kryetarët shqiptarë atje. Këto protesta më 29 maj u shndërruan në përleshje të dhunshme, ku mbetën të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, por edhe protestues.

tejkalimin e krizës në veri, 'dështimi i tyre do të ketë pasoja të rënda'

Për dalje nga kjo gjendje nga samiti i Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kërkuan nga Kosova mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kësaj kërkese i është bashkuar edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ky i fundit ka paraqitur tri kërkesa të qarta për shtensionimin e situatës në veri:

– Zgjedhjet e reja lokale në veri,

– Sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje,

– Fillimi i punës për themelimin e Asociacionit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Borrell ka thënë se dështimi i këtyre kërkesave, do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndërkombëtare. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco