Ramadani: Duhet të mbyllet qendra ruse e spiunazhit në Ballkan, aty po bëhen planet e këqia!

20:08, 31/05/2023

Ramadani: "Që prej themelimit, në vitin 2012, kur iniciativa për themelimin e qendrës së spiunazhit të Rusisë në Ballkan, (normalisht në Serbi e askund tjetër në Ballkan) ka qenë iniciativë e Sergei Shoigu, Ministrit të tanishëm rus të Mbrojtjes dhe homologu i tij në Serbi ka qenë Ivica Daçiç, në atë kohë Ministër i Punëve të Brendshme, i njohur për lidhjen dhe shërbimin që i ka bërë famëkeqit Milosheviç gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.

Ajo qendër është cilësuar edhe më herët nga partnerët ndërkombëtarë euroatlantikë si qendër e spiunazhit në Ballkan, duke pasur lidhje edhe me tentimin e atentatit ndaj Presidentit të Malit të Zi në vitin 2016, Milo Gjukanoviç. Po ashtu edhe në aktivitetet e saj në Bosnje-Hercegovinë, mbështetjen që i jep Dodikut për ndarjen e Bosnje-Hercegovinës.”    

Z. Burim Ramadani, ekspert i sigurisë kombëtare në Kosovë, që ka mbajtur poste të larta në qeveritë e mëparshme, dha një intervistë sot në SYRI TV me gazetaren Armela Ferko. Ramadani solli në vëmendje së pari, rrezikun e qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë dhe vërejti më tej se çfarë duhet të bëjë Kosova që të shtohet presioni mbi Serbinë që të mbyllet kjo qendër, "sepse aty është vendi kryesor në të cilin duket se po bëhen planet vërtet të këqia për tensionimin apo eventualizimin e konfliktit në Ballkan", u shpreh ai.

Ndiqni një pjesë nga intervista:

Burim Ramadani: Nuk është lajm i mirë për Kosovën që KFOR-i është dashur të shtojë trupat e veta në Kosovw. Absolutisht që situata është shumë më e rëndë sesa duket dhe se ç’mund të mendohet në kuptimin, le ta themi optimisttë fjalës dhe të qëllimeve për marrëveshje. Kjo luftë, e cila ka nisur jashtë Ballkanit, pra në Ukrainë, ka tendenca serioze që të zgjerohet në konflikt, me dimension ndoshta më të vogël, me konfliktet në Ballkan në mënyrë që NATO të vendosë më shumë trupa, më shumë kapacitete, më shumë prioritet për Ballkanin derisa Vuçiç, edhe për arsye të brendshme, në të njëjtën formë sikurse ka bërë Milosheviçi gjatë viteve ’90, sa herë që ka pasur kriza për pushtetin e tij, është gjuajtur kah Kosova.  Dhe normalisht që tregimi, narrativa e rreme e Serbisë për Kosovën deri diku e mobilizon shoqërinë atje. Partitë opozitare, Shoqëria civile dhe mediat, ato pak që kanë mbetur, do të shiheshin si tradhtare të shtetit nëse ato do të fokusoheshin edhe më tutje në rrëzimin e regjimit autoritar të Vuçiç.

Armela Ferko:  Kur kemi parasysh këtë situatë të rrezikshme dhe ju vetë keni thënë që duhet të ketë sanksione, duhet të mbyllet qendra e spiunazhit në Nish, kwtw në fakt nuk po e shohim nga ndërkombëtarët. Pse nuk po ndodh kjo?

Burim Ramadani: Unë besoj se sidomos periudhën e fundit edhe në javët e ardhshme (sepse besoj se javët e ardhshme do të jenë vërtet të gjata për Kosovën) Kosova, institucionet e saj duhet të jenë më të sinkronizuara në planifikimin e veprimeve dhe jo vetëm në realizimin e tyre me partnerët ndërkombëtarë.

Me NATO-n më konkretisht, në mënyrë që Kosova të jetë jo vetëm pala konstruktive (sepse shumë shpesh kjo kthehet në një lloj klisheje të diskutimit), por se Kosova duhet ta shohë veten në çdo veprim, në lidhje të përbashkët me NATO-n duke ofruar edhe plan të veçantë për integrimin e serbëve në veri të Kosovës, respektivisht rikthimin e tyre në institucione, por se kjo e ka një domosdoshmëri. Domosdoshmëria është që të rritet presioni mbi Serbinë, të mos financojë dhe nxisë grupet kriminale për të sfiduar në aspektin e sigurisë shtetin e Kosovës dhe rrjedhimisht me këtë duhet të ndërpritet, bllokohet apo të mbyllet qendra ruse e spiunazhit në Ballkan, sepse aty është vendi kryesor në të cilin duket se po bëhen planet vërtet të këqia për tensionimin apo eventualizimin e konfliktit në Ballkan./ar.sh/SYRI.NET

Intervista e plotë me z. Ramadani në video:

 

  

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco