Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, në gjendje 'të rrezikshme', thotë OKB

Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, në gjendje 'të rrezikshme', thotë OKB

09:02, 28/04/2023

Shefja e Misionit të OKB-së në Kosovë tha se marrëdhëniet mes dy shteteve u rrëzuan në vitin 2022, duke i vendosur në mënyrë të rrezikshme afër konfrontimit fizik.

“Udhëheqësit përgjegjës tani duhet të punojnë për t'i ndryshuar”, tha shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, sipas Euronews.

Ajo theksoi se pa një shtim të përkushtimit për rinovimin e negociatave, dështimet mund të përkeqësohen brenda Kosovës, me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin rajonal.

Kosova e fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Ajo është njohur nga 101 vende, duke përfshirë shumicën e atyre në NATO dhe BE, por jo nga Beogradi.

Në të njëjtin takim, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i tha Këshillit: “Dua të them qartë këtu në selinë e OKB se Serbia nuk mund dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe as nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB.”

Tensionet filluan të rriten pas zgjedhjeve në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga shumica e serbëve që jëtojnë aty.

Serbia akuzon Prishtinën për dhunë, ndërsa qeveria e Kosovës thotë se Beogradi po nxit protesta mes serbëve etnikë. Megjithatë, zgjedhjet e prillit u zhvilluan në mënyrë paqësore.

Ziadeh tha se të dyja palët duhet të tregojnë guxim në të ardhmen.

“Udhëheqësit duhet të ndërmarrin hapa të përgjegjshëm për të reduktuar gjasat e mosmarrëveshjeve të mëtejshme për çështjet që kanë degraduar besimin e publikut gjatë muajve të fundit”, i tha ajo Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Këto përfshijnë çështje që përshpejtuan tërheqjen masive të serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor dhe ato që vazhduan të polarizojnë opinionin publik gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco