Franca në Këshillin e Sigurimit: Mirënjohje për qeverinë e Kosovës dhe EULEX për zgjedhjet në veri

Franca në Këshillin e Sigurimit: Mirënjohje për qeverinë e Kosovës dhe EULEX për zgjedhjet në veri

08:39, 28/04/2023

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja e Francës, Nathalie Broadhurs, lavdëroi Qeverinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.

Përfaqësuesja e Francës tha se pala kosovare dhe ajo serbe duhet të përmbahen nga gjuha e ashpër dhe të fokusohen në çështje të tjera.

Ajo përmendi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjen e targave dhe marrëveshjen për energji, njofton Ekonomia online.

“Mund të themi se tonaliteti i dy ministrave sot ka qenë paksa me ‘telashe’. Ne lavdërojmë përkushtimin e dy palëve. Ftojmë të dy palët të përmbahen nga gjuha e ashpër dhe të punojnë në çështjen e targave dhe marrëveshjes për energjinë. Zgjedhjet e mbajtura në katër komunat me shumicë serbe janë mbajtur pa incidente dhe shprehim mirënjohje për Qeverinë e Kosovës dhe Misionin e EULEX-it. Në këtë kontekst zgjedhjet nuk mund të paraqesin një zgjidhje afatgjate. Prioritet duhet të jetë themelimi i Asociacionit të komunave serbe dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës”, tha përfaqësuesja e Francës.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëri thirrje që të dyja palët të përmbahen nga retorika nxitëse.

Ziade tha se gjatë vitit të fundit janë evidentuar sfida të ndryshme, “por edhe tentime për t’i afruar drejt normalizimit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq është përgjegjës për krime lufte të kryera në Kosovë.

Gërvalla tha se “Serbia nuk ka nxjerrë mësime nga historia. Ata që janë përgjegjës për gjenocidin janë ende në krye të qeverisë serbe”.

“Presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, ishte ministër i propagandës për kriminelin e luftës Millosheviq gjatë gjenocidit kundër Kosovës. Dhe në një farë mase ai ende vepron më shumë si një ministër propagande, në vend të një presidenti”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco