“Phuu të q****a tradhtarin e nanës” si degjeneroi gjuha në Kuvend gjatë seancës sot

“Phuu të q****a tradhtarin e nanës” si degjeneroi gjuha në Kuvend gjatë seancës sot

18:52, 23/03/2023

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se Kosova ka ardhur në një situatë të vështirë të dialogut me Serbisë pas sjelljeve të papërgjegjshme të Qeverisë Kurti në veri të Kosovës.

Ai ka cituar emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak i cili në një intervistë televizive në Kosovë u shpreh se s’mund të ketë marrëveshje finale në momente të krizave në veri.

Selmanaj ka komentuar deklarimet e Kurtit për Asociacion dhe vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Kryeministri mbrëmë e tha se do të ketë Asociacion, po sot po thotë diçka tjetër, vetmenaxhim, por as z. Blinken, as Escobar, as Hovenier, as Borrell e as Lajçak s’po e përmendin vetmenaxhimin, ata po flasin për Asociacion.”, tha Selmanaj.

Më tutje, Selmanaj është shprehur se Kurti u ka thënë ndërkombëtarëve të nxjerrin një përshkrim tjetër për Asociacionin.

“Kryeministri i ka thënë atyre, nxjerreni çfarëdo përkufizimi se s’po mund ta shes në popull, unë bëj çfarëdo që thoni ju…Prandaj, po të jeni më serioz do të ishte më mirë për vendin, është mirë të sqarohet se çfarë nënkupton ti me këtë lloj përkufizimi, ku do ta paketosh në sistemin tonë juridik, cili pushtet është, në cilin dollap do ta paketosh këtë çështje?.”, ka pyetur Selmanaj.

Selmanaj ka pyetur për statusin e Kishës Ortodokse Serbe derisa e ka pyetur Kurtin a do ta dërgojë në Kushtetuese për konsultim statutin e Asociacionit.

“Frika jonë është që po e kaloni edhe marrëveshjen e 2015-tës dhe më s’po flasim për të, çështja është krejtësisht tjetër, fatkeqësisht dhe tani do shkojmë drejt autonomisë regjionale… Uroj kurrë të mos ndodh, por kam filluar të dyshoj në agjendën tuaj dhe kjo e rrezikon rëndë edhe rendin juridik por edhe demokracinë kushtetuese në Kosovë”, tha Selmanaj.

Selamanaj tha se Kurti i ka bërë dëm vendit në tri drejtime.

“Dhe cilat janë përfundimet që unë i shoh? E keni betonuar mos fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, e keni betonuar statusin e Kosovës si vend me konflikt. Ja keni lënë barrë popullit të Kosovës edhe së paku 1 dekadë me u marrë me këtë temë sa delikate, aq edhe të vështirë.”, tha Selmanaj.

Krejt në fund, deputeti i LDK-së ia ka kujtuar Kurtit një deklaratë të tijën ku thotë se “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush që nuk është serbofil”.

“A jeni serbofil z. Kurti? Nëse e pranoni Asociacionin, a i bie që jeni serbofil? Dhe nëse kjo rrugë na çon drejt asaj, në konstatimin tuaj, jo timin, atëherë unë po bindem që fatkeqësisht që jeni kryeministër i këtij vendi e punoni kundër interesave të shqiptarëve?”, tha Selmanaj.

​Abazi-Kurtit: Ndihem i ofenduar kur përmende aktivistët e dorëhequr të LVV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se ndihet i ofenduar nga kryeministri Albin Kurti, kur ka përmendur aktivistët e dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje, duke replikuar me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Abazi ka thënë se aktivistët e Vetëvendosjes do të kishin gjuajtur gaz lotsjellës dhe rrotulluar makina për shkak të marrëveshjes, që është dakorduar me Serbinë.

“Zotëri Kurti, ndihem i ofenduar kur përmende aktivistët e dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje. Zotëri Rrustemi ndoshta ka të drejtë, ndoshta opozita kish me festu me këtë marrëveshje, por LVV dhe ata aktivistë kishin gju gazë lotsjellës dhe rrotullu makina të kësaj marrëveshje që ne kemi nënshkruar këtu”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kurti ka dështuar që përmes marrëveshjes në Ohër të sigurojë njohjen e Kosovës të pesë vendeve mosnjohëse të Bashkimit Evropian.

“Njohja nga Serbia për shqiptarët e Kosovës është e parëndësishme. Albin Kurti nuk ka ardh kryeministër për me marrë njohjen e Serbisë, ne e dina se kush është Serbia. Njohja e pesë vendeve të Bashkimit Evropian ka qenë qëllimi ynë për me u hap dera drejt integrimit evropian. Kjo nuk ka ndodhur”, ka shtuar ai.

PDK nuk e vazhdon debatin pa Kurtin në Kuvend, Konjufca: I bie sikur me folë vetmevete

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nuk dëshirojnë ta vazhdojnë debatin në Kuvend pa prezencën e kryeministrit Kurti.

Deputeti Tahiri i tha kryetarit të Kuvendit Konjufca “nuk shohim arsye ta vazhdojmë debatin pa prezencën e kryeministrit, i bie sikur me folë vetmevete”.

Pas kësaj deklarate, Glauk Konjufca tha se seanca mund të ndërpritet dhe të vazhdojë në orën 16:15. Por ky propozim nuk u vendos akoma.

“Kryeministri vjen në orën 16:00 por nuk mundet më shumë se në orën 17:30 se është edhe iftari pastaj”, u shpreh Konjufca.

“Mirë po vazhdojmë në orën 16:00, pra”, tha ai.

Kurti, PDK-së e LDK-së: Ju po thoni që kam dështuar në Ohër, kurse Cholleti ma uroi suksesin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka replikuar me deputetët Armend Zemaj e Enver Hoxhaj, gjatë seancës së sotme të kuvendit.

Kurti tha se nuk shfaqet triumfues në kuvend, por i tillë shfaqet në negociata, teksa shtoi se atje ka fituar Kosova.

“Pra, ‘de-facto’ njohja, gjithë mbështetja ndërkombëtare dhe konstruktiviteti ofensiv që e kemi, kanë ngadhnjyer edhe në Bruksel edhe në Ohër”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se pika 10 thotë se “të dy palët konfirmojnë obligimin e tyre për të implementuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut”, teksa shtoi se fjalia vazhdon “që mbeten valide dhe të obligueshme”.

“Ju në fjalimin e juaj zotëri Zemaj nuk e thatë këtë fjalinë e dytë. Pse nuk e thatë? Ju nuk e thatë sepse pikërisht ashtu i konvenon Serbisë. Pra, “që mbeten valide dhe të obligueshme” është në pikën 10. Ajo që është e favorshme për Kosovën do të duhej të përmendej vazhdimisht sepse interesin e Kosovës e mbrojmë ne”, është shprehur Kurti.

Kurse, sa i përket pikës 7, konkretisht vetëmenaxhimin, Kurti tha se duhet lexuar Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës.

“Hoxhaj tha se “ne negociata shkohet me 2-3 skenarë”, e pyetja ime është se me 2 a me 3. Pra, kur thuhet se “shkohet me 2-3 skenarë”, kjo tregon që nuk e ke skenarin me gjithë mend, se veç do më shumë se një. Pra, 2-3 thua kur është veç më shumë se 1. Pse jo 4 deputeti Hoxhaj? Unë s’mund ta shpalosi strategjinë time këtu. Pra, në negociata nuk bëhet publike strategjia. Ju nuk e dini sa skenarë kam pasur unë”, është shprehur Kurti.

Më tej, Kurti tha se në orën 13:00 ka biseduar me Këshilltarin e Lartë të DASh-it, Derek Chollet, i cili ia ka uruar suksesin në ohër.

“Porsa ma uroi në telefonatë Derek Cholleti suksesin në Ohër, e ju thatë që është dështim. Në ora 13:00 kisha telefonatë me të, e ai më uroi për suksesin. E ju thatë që dështim. Ju po besoni që Kosova ka dështuar në Ohër, ndërkaq Chollet ma uroi suksesin në Ohër. Dhe, unë çdo herë, kur e lëshojë seancën është për shkak të një takimi kthehem. Ju e dini që unë kthehem. Pra, edhe kur shkojë, unë gjithmonë kthehem”, është shprehur Kurti.

Hoxhaj për Bislimin: Po më flet nga mbrapa, ky s’mund ta udhëheq një trafikë, e lëre më çështje të politikës së jashtme

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër është “marrëveshja më e keqe” që nga Konferenca e Rambujesë më 1999.

Hoxhaj në fjalën e tij në një rast u ankua se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po i fliste nga mbrapa. Ai tha se Bislimi është dashur t’i japë këshilla kryeministrit.

“Zëvendëskryeministri po më folë mrapa. Ky është mirë me i dhënë këshilla kryeministrit në Ohër, jo mua këtu të më flasë mbrapa, se s’kam nevojë për këshillat e tij unë”, tha Hoxhaj.

Ish-kryediplomati tha se zëvendëskryeministri s’mund të udhëheqë çështje të politikës së jashtme.

“Ky s’mund ta udhëheq një trafik kështu si financier, jo se po të udhëheqë çështje të politikës së jashtme”, tha ai.

Shau me nënë në Kuvend, Konjufca i shqipton vërejtje deputetit Shala

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në bazë të rregullores së Kuvendit, i ka shqiptuar vërejtje për gjuhë jo parlamentare, deputetit të LDK-së, Kujtim Shala, i cili e ofendoi rëndë kryeministrin Albin Kurti.

Konjufca: Kujtim Shala keni përdorur gjuhë joparlamentare

“Zotëri Shala, të gjitha faktet tregojnë se keni përdoruar një gjuhë joparlamentare, por pa mikrofon. Mirëpo për këtë rregullorja më obligon se sipas nenit 65, pika 3 t’iu japim një vërejtje për këtë shkelje”, tha ai.

Fjalën e mori edhe deputeti Shala, i cili nuk kërkoi falje për ofendimin ndaj Kurtit, por duke ironizuar, kërkoi që vërejtjen t’ia dërgojnë me postë.

Shala: Më dërgoni vërejtjen me postë

“Faleminderit. Më dërgoni vërejtjen me postë”, tha ai.

Gjatë seancës së sotme, ku po diskutohet për marrëveshjen pa nënshkrim me Serbinë, në replika e sipër, u dëgjua zëri i deputeti Shala duke ofenduar kryeministrin Kurti dhe quajtur tradhtar.

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit, lidhur me takimin e nivelit të lartë politik në Ohër në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Fjalimi i Kurtit:

I nderuari kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,

Të dashur qytetarë,

Që nga fillimi i mandatit tim jam zotuar ta riformatoj dialogun në një mënyrë të tillë që ta shndërroj atë në një proces të rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare me Serbinë, pra një dialog ku jemi të barabartë dhe të cilin e karakterizon simetria. Që nga 9 shtatori kur na u prezantua drafti fillestar i Propozimit Franko-Gjerman, kemi hyrë në formatin e ri të dialogut. Kjo gjë u pat paralajmëruar në takimin e 18 gushtit, atëherë kur pika parë e agjendës ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. E, për herë të parë, që nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë normalizimi i plotë nuk është pjesë e premtimeve verbale, por i atyre me shkrim. Tuneli është ende i gjatë, por unë besoj që atij po i vije fundi.

Kontinenti ynë është në luftë dhe askush nuk e di se çfarë sjell e ardhmja dhe deri ku do të mund të shkojë kriza botërore. Aleatët tanë kanë vendosur një kornizë me kushte strikte ndaj nesh dhe Serbisë në mënyrë që t'i lejmë prapa dallimet, si prioritet të parë në kontekstin e caktuar, për t'i ndihmuar strategjikisht interesit të tyre për një siguri kolektive dhe paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, e cila është në linjë me vlerat e NATO-s. Sinqerisht, aleatët tanë duan ta sjellin Serbinë drejt Evropës. Se a do ta arrijnë një gjë të tillë, unë nuk kam shumë shpresë.

Procesi i ri ka sjellë një marrëveshje të re dhe jam plotësisht i bindur se sjell një hapje të re drejt rezultatit përfundimtar. Marrëveshja Bazë për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmban vetëm 11 nene dhe një preambulë dhe aneksi shton 12 pika të tjera. Ia vlente mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme.

Marrëveshja Bazë konfirmon se marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës zhvillohen në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha të drejtave themelore që karakterizojnë një shtet të konsoliduar ndërkombëtarisht dhe sovran e me integritet territorial. Serbia ka pranuar ta trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Me marrëveshjen, Serbia është zotuar gjithashtu që të mos kërcënojë me përdorimin e forcës dhe t'u japë fund mosmarrëveshjeve me mjete paqësore.

Ajo e ka pranuar këtë, megjithëse unë ende nuk do t'i besoja plotësisht Serbisë për këtë.

Ajo nuk mund të pretendojë se përfaqëson ndërkombëtarisht shtetin tonë, apo atë që ndodh brenda territorit tonë. Ajo e ka pranuar këtë rregull sjelljeje. Ne të dy do të duhej të jemi të përkushtuar të zhvillojmë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëri-tjetrin, siç thuhet qartë, saktë, tekstualisht në marrëveshje.

Për më tepër, Serbia duhet që të mos kundërshtojë më anëtarësimin tonë në asnjë organizatë ndërkombëtare, apo të bllokojë rrugën tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Duhet të ketë njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore përkatëse, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore. Do të shkëmbejmë edhe Misione të Përhershme, në thelb ambasadat me një emër tjetër. Serbia i ka pranuar të gjitha këto më sipër. Kjo natyrisht që është njohje de facto, e vendosur në formë të shkruar dhe me një status të pakthyer tashmë sepse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garantorë për përhershmërinë e saj kohore.

E rëndësishme për ne, Palët tani më në fund do të konfirmojnë kushtet e Deklaratës për Personat e Zhdukur 'me urgjencë', siç thuhet në tekst. Edhe gjithashtu këtë e ka pranuar Serbia.

Të gjitha këto detyrime tashmë janë në fuqi. Këto detyrime tani sigurohen dhe mbikëqyren nga një Komitet i Përbashkët i kryesuar nga Bashkimi Evropian. Ekziston edhe një mekanizëm detyrues në formën e pasojave negative për shtetin i cili nuk zbaton. Shtetet që bashkëpunojnë do të marrin një nxitje në procesin e tyre përkatës të pranimit në Bashkimin Evropian dhe mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Mosrespektimi i detyrimeve do të sjellë të kundërtën.

Duke qenë se nuk ka shkallë të duhur të besimit, do të thosha që ka shkallë të lartë të mos besimit në këto bisedime, zbatimet parashikohen të jetë me hapa të përbashkët, ku të dyja palët do të duhet të shkojnë hap pas hapi. Nuk mund të kemi zbatime të njëanshme të marrëveshjes siç nuk mund të kemi as nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes.

Kosova i ka obligimet e veta ligjore. Unë personalisht kam kundërshtuar disa nga marrëveshjet në të kaluarën dhe vazhdoj të punoj për një rezultat më të mirë, shumë më të mirë. Sepse Kosova meriton dhe i takon shumë më tepër. Në të njëjtën kohë, aleatët tanë na kujtojnë se marrëveshjet janë arritur ndërmjet qeverive në emër të shteteve tona me detyrime të qëndrueshme edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë, unë nuk mund t'i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim. Por në të njëjtën kohë jam i bindur që tekst më të mirë të marrëveshjes në situatën që jemi nuk ka qenë e mundur të mbërrijmë.

Megjithatë, ato detyrime nga e kaluara janë edhe të përfshira implicit në procesin e dialogut sepse janë ngritur gjatë bisedimeve dhe çdo gjë ne do ta konsiderojmë nga prizma e kushtetutës sonë, e Republikës sonë, e ligjshmërisë sonë dhe e vlerave, e kartave normative, ndërkombëtare në veçanti evropiane.

Çdo gjë që ne bëjmë në këtë drejtim, është standard që tashmë është i pranuar nga çdo demokraci evropiane.

Ne bëmë maksimumin për të përmirësuar situatën dhe ia dolëm që të sigurojmë më shumë hapësirë për ecjen përpara. U bë plotësisht e qartë nga Lehtësuesi apo ndërmjetësuesi i BE-së dhe nga partnerët tanë amerikanë se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit ndërmjet komunave dhe qeverisë së Kosovës, dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të largohet nga kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo është bërë edhe gjatë procesit të dialogut edhe në deklarimet publike. Pra ka dalur qëndrimi i drejtë i kritikës sonë ndaj çfarëdo qëllimi, synimi, kërkese të Serbisë që fatkeqësisht në të kaluarën edhe janë pranuar në Kosovë.

Unë nuk kam ndërmend të kritikoj gjerë e gjatë tash për marrëveshjet e para dhjetë apo tetë vjetëve për këto vendime të kaluara të cilat janë aty, janë në arkivat e Brukselit, janë në arkivat edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi duhet të shkojmë përtej kësaj duke qenë se është interes i yni shtetëror e kombëtar që duhet të na shohë duke punuar së bashku duke bashkëpunuar. Tani kemi një dokument të ri në dorë dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë. E kemi një dokument të ri çfarë ka qenë i paparë e i paarritshëm më herët dhe kjo është edhe armë e fuqishme për neve për të ecur përpara.

Me dokumentet e mëhershme kemi ngecur, me këtë dokument mund të ecim.

Kosova tashmë e ka një mekanizëm jo-territorial të ndarjes së pushtetit dhe ne mundemi vetëm të ndërtojmë mbi të. Gjithashtu nuk mund të lejojmë që të shkelen parimet evropiane dhe të drejtat e njeriut. Është e rëndësishme të theksojmë që çfarëdo mundësie diskriminuese duhet ta parandalojmë. Konkretisht duhet të shmangim çfarëdo problemesh që mund t'i ngjajnë atyre çfarë janë shfaqur në Bosnje e këtu referenca është tek rasti Sejdic dhe Finci mbi theksimin e mono-etnicitetit si diskriminues i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ky është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm mbi atë se çfarë nuk guxon të jetë një asociacion.

Dhe është për të ardhur keq që rasti Sejdic Finci është katër vjet para marrëveshjes së prillit 2013 dhe është gjashtë vjet para marrëveshjes së gushtit 2015. Është rast i vitit 2009. Në vend se rasti Sejdic Finci të shfrytëzohet në mënyrë që të parandalohet karakteri monoetnik i asociacionit ajo është shpërfillur plotësisht dhe ne po i rikthehemi atij për të mirën e Kosovës duke u bazuar në një organ prestigjioz, të drejtë, sic është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo për të cilën kemi rënë dakord është një trup, mandati ligjor i të cilit do të burojë nga Konventa Kornize për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Ne jemi të hapur për të kërkuar frymëzim nga shembujt evropianë dhe udhëzime nga standardet e praktikave evropiane, të cilët nuk janë të bazuara në territorialitet. Ne e kundërshtojmë me vendosmëri dhe forcë etno-nacionalizmin territorial. Nuk e duron Republika demokratike dhe është në kundërshtim me vlerat dhe bindjet e qeverisjes sonë progresiste.

Siç kërkohet nga obligimet tona, do të fillojmë një proces të gjerë konsultimesh edhe brenda Kosovës, edhe me partnerët tanë, edhe me komunitetin joshumicë serb, edhe me pakicat e tjera, të cilat janë këtu në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojmë të diskutojmë në mënyrë më gjithpërfshirëse për këtë çështje.

Unë kurrë, e përsëris, kurrë, që do të thotë asnjëherë askund, nuk do të konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale, megjithëse ato marrëveshjet e mëhershme të Brukselit janë mbështetur shumë në territorialitetin, si element qenësor. Komunat nuk janë vetëm njësi administrative, por edhe territoriale. Prandaj, territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar, të cilin nuk guxojmë as ta lejojmë as ta përsërisim.

Tash pra duhet të kalojmë bashkërisht dhe unë ju ftoj të gjithë juve, si deputetë të Kuvendi të Republikës, që të kalojmë bashkërisht nga standardet e Daçiqit e të Vuçiqit në vitet 2013 dhe 2015, në ato të Këshillit të Evropës e sistemit demokratik të Bashkimit Evropian të bazuar në qytetarin.

Qytetari është thelbi, jo territori, jo etnonacionalizmi territorial, i cili ndanë, përçanë e segregon, por përkundrazi qytetari, i cili është i Republikës, pavarësisht përkatësisë, pavarësisht identitetit me të drejta dhe me të drejta për kërkesa, por gjithnjë brenda Kushtetutës republikane.

Ne gjithashtu kemi marrë përsipër të formalizojmë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojmë një nivel të lartë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Ta themi të vërtetën, atë që ne të gjithë e dimë se modelet tona ekzistuese në këtë drejtim i tejkalojnë shumë përvojat evropiane. Megjithatë, statusi nuk është, konsiderohet i rregulluar dhe unë nuk kam arsye që ta shmang dialogun me krerët e Kishës Ortodokse Serbe për këtë qëllim. Nuk do të hyjmë në dialog me Qeverinë e Serbisë për këtë temë. Kjo nuk do përbëjë asgjë të re, thjeshtë konfirmim i atyre garancive që tashmë ekzistojnë në sistemin tonë kushtetues e ligjor.

Për këtë qëllim, unë e ftoj udhëheqjen e Kishës Ortodokse Serbe, që të angazhohet me ne në një mënyrë të hapur, me qëllim të mirë, me vullnet të mirë, me mirëbesim dhe konstruktive për të diskutuar se si duhet të zbatohet marrëveshja dhe të adresohet çdo fushë specifike, ku obligimet ligjore duhet zbatuar ama gjithnjë në përputhje me frymën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kosova është e gatshme të jetë proaktive, vazhdimisht kreative, e përkushtuar dhe konstruktive ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sinqerisht, nëse duam të fokusohemi në zhvillimin dhe integrimin evropian, duhet ta lëmë pas këtë kapitullin e vështirë me Serbinë. E ky kapitull lihet pas me normalizim të plotë, ku natyrisht është Serbia ajo, e cila i nënshtrohet një sërë ndryshimeve në mënyrë që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, por edhe të normalizohet ajo vetë si shtet.

Unë besoj që normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndihmon jo më pak Serbisë se sa Kosovës. Përkundrazi. Përfiton Serbia, sepse normalizohet si shtet. Është një çështje tjetër pastaj e diskutimit politik e socio-historik, pse atje ka aq shumë forca që e refuzojnë normalizimin në kontinentin evropian, ku bën pjesë gjeografikisht edhe Serbia, jo vetëm Kosova.

Me të drejtë mund të theksojë dikush faktin që Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. Ata thonë për arsye të brendshme, por kjo nuk i ulë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Pra, ne kemi marrëveshje, pa çka se ajo nuk është nënshkruar, sepse pala tjetër ka refuzuar ta nënshkruajë.

Kujtoni se Kosova e ka ofruar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë tashmë më 27 shkurt në Bruksel. Serbia nuk mundi ose nuk donte ta bënte. Ne ende e kemi të hapur ofertën për ta nënshkruar bashkërisht këtë marrëveshje dhe do të vazhdojmë ta mbajmë të hapur një ofertë të tillë. Përballë Serbisë, e cila nuk donte të nënshkruante, Bashkimi Evropian gjeti një mënyrë për të regjistruar marrëveshjen përmes një konfirmimi nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri me pëlqimin paraprak të palëve. Kjo duhet të përforcohet më tej nga konkluzionet e Këshillit Evropian.

Bashkimi Evropian do t'i shtojë angazhimet sipas Marrëveshjes dhe Aneksit në kushtet për avancimin drejt integrimit të mëtejshëm në Bashkimin Evropian. Andaj, detyrimet ndërmjet palëve bazohen në parimin e pëlqimit dhe mirëbesimit në të drejtën ndërkombëtare, dhe gjithashtu do të bazohen, si një mbrojtje shtesë, në standardet e Bashkimit Evropian.

Në një mënyrë jokonvencionale, por Bashkimi Evropian do të duhej ta gjejë mekanizmin për ta bërë marrëveshjen plotësisht, ligjërisht, ndërkombëtarisht të detyrueshme. Në këtë pikë, dëshiroj të diskutoj haptas me ju nëse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend edhe kur. Siç mund ta keni vënë re, disa nga aleatët tanë janë aq të shqetësuar për rrugën e gabuar të Serbisë, saqë po i shohin nëpër gishta, nganjëherë edhe me një sy apo edhe më shumë mbyllur. Ata nuk do ta kishin toleruar një sjellje të tillë nga asnjë vend tjetër që kërkon anëtarësim dhe ndonjëherë e pyes veten se kush po mundohet ta tërheqë kë më shumë.

Nuk na pëlqen aspak kjo dinamikë, por pylli nuk duhet të injorohet për shkak të pemëve. Në planin afatgjatë, ne jemi më mirë me këtë marrëveshje. Historia është përplot me shembuj të vendeve në luftë që humbin mundësinë dhe e vazhdojnë konfliktin për dekada.

Kjo është edhe arsyeja pse unë si kryeministër i Republikës, kam thënë që jam për dialog, jam për dialog për marrëveshje, jam për dialog për marrëveshje që nënshkruhet, jam për dialog për marrëveshje që nënshkruhet sa më parë, qysh tash. Dhe më shumë se kaq, më i përgjegjshëm se kaq, më konstruktiv se kaq, nuk ka qenë e mundur.

Unë jam kritikuar edhe këtu në Kuvendin e Kosovës për propozimin e nënshkrimit të një marrëveshjeje e cila nuk është përfundimtare. Të gjithë do të kishim dashur që Marrëveshja të jetë përfundimtare. Mirëpo midis asaj të refuzohet gjithçka pse marrëveshja nuk është përfundimtare apo të themi po, sepse është bazë e mirë për diskutim të mëtutjeshëm dhe sidomos platformë solide për të ecur përpara, natyrisht që me gjithë dijen kapacitetin, fuqinë që kemi, kemi vendosur se duhet t’i themi po marrëveshjes bazë, drejt një marrëveshje finale sa më parë.

Për herë të parë, ka një rrugë të qartë për të arritur deri aty edhe pse tashmë është e qartë që njohja de facto është e qartë. Ajo nuk është më pjesë e premtimeve deklarative ose verbale të thëna në mënyrë të paqartë – ajo përcaktohet në nenin 6 të kësaj marrëveshjeje. Ne e kemi me shkrim se Serbia pajtohet që kushtëzimi të vazhdojë deri në normalizimin e plotë, pra njohje.

Nuk ka zyrtarë ndërkombëtarë, evropian e amerikan që nuk e thotë që normalizimi i plotë nënkupton njohjen reciproke.

Unë nuk pres një rrugë të lehtë përpara, duhet të jemi shumë të vëmendshëm, duhet të jemi shumë vigjilent, do të ketë shumë kurthe e ndërskamca dhe Serbia do të bëjë gjithçka që është e mundur, duke përfshirë edhe injorimin haptas të marrëveshjes, anulimin, dhe interpretimin e saj, e riinterpretimin e asaj për të cilën kemi tashmë kemi rënë dakord. Rruga jonë drejt anëtarësimit në ndonjë organizatë ndërkombëtare është lehtësuar, por ajo nuk do të jetë shëtitje në park. Çdo vend mund të na kërkojë të bëjmë më shumë, sepse Serbia do të vazhdojë të lobojë kundër. Ajo me deklarata publike tashmë është shprehur edhe kundër pjesëve të asaj që ka nënshkruar, edhe kundër zbatimit të pjesëve të asaj që ka nënshkruar. Por ndryshe nga Serbia, Kosova ka vendosur që nuk ka hezitim që adresa e saj e vetme është Evropa, është Bashkimi Evropian, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është NATO-ja, është lidhja transatlantike, e cila po del botërisht që në këtë shekull është jo më pak e rëndësishme se sa në shekullin e kaluar.

Falënderojmë partnerët tanë negociues në këtë proces të vështirë, Përfaqësuesin e Lartë dhe Lehtësuesin e Bashkimit Evropian dhe ekipet e tyre, shtetet mbështetëse që kanë ndihmuar aq shumë për ta çuar përpara këtë proces, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, dhe në veçanti edhe Përfaqësuesin Special dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qenë gjithmonë të pranishëm kur ka lindur nevoja në këtë proces padyshim jo të lehtë.

Natyrisht, si gjithmonë, falënderoj edhe, mbi të gjitha, qytetarët e vendit tonë që na kanë qëndruar pranë këtij procesi dhe, e pranoj, herë-herë edhe konfuz. Uroj që kjo të ishte më e drejtpërdrejtë dhe të kishim qartësi e parashikueshmëri më të madhe, por ne po bëjmë më të mirën që dimë e mundemi, e duhet, me një situatë të vështirë dhe kemi diçka për të treguar për këtë. E kjo diçka, unë jam i bindur që është e arritur e përbashkët për Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit!

​Kurti: Krasniqi dhe Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të VV-së që kanë dhënë dorëheqje

Kryeministri Albin Kurti teksa u është drejtuar udhëheqësve të PDK-së e LDK-së, u shpreh se të njëjtit po flasin si aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në seancën e sotme plenare, Kurti ka replikuar me partitë opozitare duke i kritikuar për opozitarizëm e po ashtu edhe për marrëveshjet e arritura dikur. Ai theksoi se krerët e Serbisë më parë vraponin për të nënshkruar marrëveshje, ndërkaq tani po ikin nga ai.

Shefi i ekzekutivit po ashtu deklaroi se vet-menaxhimi nuk është vetëvendosje e as vetëqeverisje, meqë kjo u takon popujve e jo komuniteteve.

Kurti duke iu drejtuar Krasniqit e Abdixhikut tha se të njëjtit duhet të pushojnë nga diskursi i aktivistit të pakënaqur të LVV-së.

Kurti: Ju jeni PDK, ju jeni LDK, nuk jeni në LVV

“Deputeti Krasniqi dhe Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje. Për besë, nuk di si ta shpjegojë ndryshe këtë diskurs. Pra, sikur të ishin aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje e janë të pakënaqur me kryetarin, po më duket vetja si në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Po kjo është parlamenti i Kosovës, ku jeni o ju partitë tjera. Ju jeni PDK, ju jeni LDK, nuk jeni në LVV. Nuk e di pse po më kujtohet tash deklarata e Skender Hysenit, i cili pati thënë që deputeti Abdixhiku është Vetëvendosje në LDK”, ka deklaruar ai.

Kurti ka vijuar me replika ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për çka ka shkaktuar të qeshura në sallën e seancës plenare.

Kurti: Nuk është e thënë me citua dikë që citon

“Deputeti Abdixhiku e citoi Adem Mikullovcin, që e citonte Azem Shkrelin, po Azem Shkrelin bën edhe me lexua vet. Nuk është e thënë me citua dikë që citon, Azem Shkrelin do të duhej të lexohej. E bëri atë pyetjen para pasqyrës, a do të puthje apo do ta pështyje. Unë nuk e bëjë asnjërën, por kolegët e mi që i kam këtu në qeveri që e njohin deputetin Abdixhiku më mirë se unë, po thonë se e dinë se çfarë bën ky”, u shpreh Kurti.

Më tej, derisa i ka replikuar kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, i cili tha se vet-menaxhimi është vetëvendosje, për çka kërkoi nga deputetët që të mos thënë diçka që nuk po e bën as Serbia.

Kurti: Vetmenaxhimi jo që nuk është Vetëvendosje, por nuk është as vet-qeverisje

“Nga deputeti Krasniqi u tha se vet-menaxhimi është vetëvendosje, nuk është e vërtetë. Vetmenaxhimi jo që nuk është Vetëvendosje, por nuk është as vetëqeverisje, nuk është as vet-administrim. Këto janë shprehje të ndryshme, jo vetëm nominalisht e fonetikisht por edhe semantikisht. Këto janë të ndryshme. Vetëvendosje është e drejtë e popujve, serbët në Kosovë nuk janë popull, janë komunitet. Popull është populli i Kosovës, askush dhe asgjë tjetër”, ka replikuar Kurti.

Më tej, Kurti deklaroi se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 me shumë zell i kishte nënshkruar Daçiqi dhe Vuçiqi.

Kurti: Kemi ardhur në fazën ku ikin prej meje

“Nga vrapimi për të nënshkruar me juve, kemi ardhur në fazën ku ikin prej meje sepse s’duan të nënshkruajnë”, tha shkurt Kurti.

Kryeministri Kurti tha kjo marrëveshje bazë askund nuk përmendet “Zajednicën”.

Kurti: Zajednica askund nuk përmendet në këtë marrëveshje

“Pika 10 e marrëveshjes bazë iu referohet atyre 39 marrëveshjeve të mëhershme. Aty e gjeni asociacionin, apo Zajednicën edhe të vitit 2013 edhe të 2015, dhe aty thuhet që duhet të zbatohen të gjitha që janë valide dhe të obligueshme. Ka ende punë, por thuhet që janë valide dhe të obligueshme. Përndryshe besoj që të gjithë e keni vërejtur që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, apo Zajednica, askund nuk përmendet në këtë marrëveshje”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të vitit 2015, ku në kapitullin 2 thuhet se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë.

Kurti: Nëse keni qenë më të dijshëm se ne, pse nuk pati asnjëherë njohje reciproke

“39 marrëveshje janë realizuar gjithsejtë nga 2 korriku 2011, deri më 25 gusht 2015, pse nuk kishte njohje reciproke në asnjërën prej tyre. Pse nuk kishte? Pra, nëse keni negociuar mirë, nëse keni dialoguar mirë, nëse keni qenë më të dijshëm se ne, e më të vëmendshëm se ne, si u bë që asnjëra se pati asnjëherë njohjen reciproke”, ka shtuar ai.

Kurti lëshoi seancën, Konjufca e arsyetoi se ka një telefonatë të rëndësishme

Kryeministri Albin Kurti ka dalur nga seanca në të cilën ka qenë duke u diskutuar për marrëveshjen në Ohër.

Dalja e tij është përcjellur me brohoritje nga deputete e opozitës.

Largimin e tij e ka arsyetuar krye parlamentari, Glauk Konjufca.

Ai tha se kryeministri ka një telefonatë të rëndësishme që duhet t’i përgjigjet.

Ky është deputeti i LDK-së që shau Kurtin në seancë

Një sharje është dëgjuar në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për marrëveshjen e arritur në Ohër.

“Phuu ta q*** tradhtarin e nanës”…u tha gjatë seancës ku Kryeministri Kurti po raporton rreth Marrëveshjes se Ohrit.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, thotë se kjo u tha nga deputeti i LDK-së, Kujtim Shala.

“Niveli i akademisë së LDK-së, akademikut Kujtim Shala. Dëgjojeni”, ka shkruar Manxhuka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco