Mbi nëntë orë bisedime, çfarë po ndodh në takimin Kurti-Vuçiç!?

Mbi nëntë orë bisedime, çfarë po ndodh në takimin Kurti-Vuçiç!?

20:32, 18/03/2023

Kanë kaluar më shumë se nëntë orë që kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nisën ndaras takimet bilaterale në Ohër.

Fillimisht me përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, Josep Borell dhe me emisarin e BE për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. Diskutimet po vazhdojnë lidhur me planin e zbatimit të propozimit europian për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt.

Fillimisht krerët e shteteve u takuan ndaras me përfaqësuesit e BE-së. Më tej, pas orës 15:00 ka nisur takimi trepalësh.

Ky takim zgjati për një orë fillimisht para një pauze, për t’u ritakuar sërish. Nga ora 18:20 palët janë në pjesën e dytë të takimit dhe ende po vazhdojnë diskutimet.

Bisedimet janë zgjatur nga çfarë ishte planifikuar për shkak të pikës që ka të bëjë me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Që nga nisja e takimeve s’ka pasur asnjë deklaratë të krerëve apo ndërmjetësve. Pas takimit, pritet që secili t’u drejtohet gazetarëve, ndërsa Borrelli të zhvillojë edhe një konferencë për mediat.

Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

Së voni, dy shtetet janë pajtuar në parim për një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Për zbatimin e këtij propozimi, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë po bisedojnë sot në Ohër.

Një nga nenet e tij kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në 12 vjetët e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco