Albin Kurti: Ka ende punë që propozimi i BE-së të shndërrohet në marrëveshje

Albin Kurti: Ka ende punë që propozimi i BE-së të shndërrohet në marrëveshje

17:49, 16/02/2023

Imazhi i Kosovës sot është më i miri që nga shpallja e pavarësisë, thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për DW, teksa dialogun në Bruksel ai e sheh vetëm si dialog për statusin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe jo për statusin e Kosovës.

“Në 15 vjetorin e pavarësisë, ne festojmë me gëzim për sukseset dhe të arriturat por të njëjtën kohë edhe me dhembje dhe pikëllim për çmimin e lartë që kemi paguar për çlirimin por edhe për pavarësimin e vendit tonë, duke kujtuar ata që sakrifikuan dhe kontribuuan. Kosova njihet nga 117 vende anembanë botës dhe sot imazhi i Kosovës në botë është më i miri prej që e kemi shpallur pavarësinë”, ka theksuar Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se “dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim normalizimin e plotë që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”.

“Pra nuk është dialog për statusin e Kosovës, por dialog për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai ka thënë se duhet reciprocitet i të drejtave në Kosovë dhe Serbi.

“Nuk mund të ketë asociacion një etnik. Asociacioni i komunave mund të jetë mbi pikëpamje zhvillimore, pa harruar se Kosova e ka një Asociacion të komunave dhe çfarë do të mund të bënin ndryshe Zveçani, Shtërpca e Parteshi që s’do të mund ta bënin në atë Asociacion. Unë nuk jam për të diskriminuar askënd, por as për të favorizuar dikë tjetër. Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve, por kërkesë e Serbisë, e cila nuk i lejon t’i integrojë as serbët e Bosnjës, as ata të Malit të Zi e as ata në Kosovë sepse dëshiron ta realizojë projektin e ‘Serbisë së Madhe’ që tash ia ka ndërruar emrin në ‘Bota Serbe’”, ka nënvizuar Kurti.

Duke folur për propozimin e BE-së, i njohur si plani franko-gjerman, kreu i qeverisë, ka thënë se ‘propozimi është bazë për diskutime të mëtutjeshme e platformë solide për ecje përpara’.

“Ka punë që të shndërrohet në një marrëveshje, por unë do t’i njoftojë deputetët e Kuvendit të Republikës dhe në veçanti krerët e partive opozitare. Ata nuk do të kenë asnjë befasi nga ana ime. Do të bashkëpunojmë si institucione shtetërore, në mënyrë që ajo që është e drejtë dhe e dobishme për Kosovën të realizohet. Por këtu nuk jemi vetëm ne faktori, janë edhe BE dhe SHBA, por gjithashtu është edhe Serbia. A do të kemi ose jo marrëveshje dhe nëse do të kemi, sa shpejt, varet shumë prej trysnisë së faktorëve ndërkombëtar mbi Beogradin, i cili as nuk po distancohet nga Millosheviqi në të kaluarën e as nga Putini në të tashmen”, ka shtuar Kurti.

Sa i përket mundësisë së një takimi të shpejtë mes liderësh në Bruksel, Kurti ka thënë se ai është i gatshëm, por nuk varet prej tij.

“Nga data 18 gusht, takimet tona kanë strukturë të qartë, takimi zhvillohet në Bruksel me ftesën e Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ndihmohet nga emisari i tij special, Miroslav Lajçak, me pikën e parë të rendit të ditës; korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe pika e dytë është ‘çështjet aktuale’. Unë pres që të bëjmë dialog për marrëveshje dhe pres që së shpejti zoti Borrell të na ftojë. Por kur do ta bëjë ai këtë, natyrisht që varet prej vlerësimeve të tij. Nga ana ime, unë kam shprehur gatishmërinë, vullnetin, interesimin dhe do të jem konstruktiv, i përkushtuar e kreativ”, ka përfunduar Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco