Zbulimi i tre laboratorëve të drogës në veri të Mitrovicës, kërkohet paraburgim për dy serbët e dyshuar

Zbulimi i tre laboratorëve të drogës në veri të Mitrovicës, kërkohet paraburgim për dy serbët e dyshuar

10:12, 14/02/2023

Të dielën, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion policor të koduar “Shpata” në veri të Mitrovicës, gjatë të cilit u zbuluan tre laboratorë droge dhe u arrestuan dy persona. Të dyshuarit serbë janë arrestuar, derisa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka thënë se do të kërkojnë caktimin e masës së paraburgimit.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë për Express, se dy të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”, derisa njëri prej tyre dyshohet edhe për një vepër tjetër penale.

 “Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për dy (2) të ndaluarit, për veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike“, ndërkaq për njërin prej tyre, edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Preteni për Express.

Të dielën, Policia e Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftuan për këtë aksion, duke dhënë detaje e publikuar fotografi të drogës dhe emrat e të dyshuarve.

“Gjatë realizimi të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre (3) laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të. Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojn dy (2) persona të dyshuar meshkuj serb, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren ne bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhej në komunikatën e Policisë.

“8 laboratorë droge janë shkatërruar brenda mandatit tonë, vetëm sot janë shkatërruar 3 sosh. Pronarët e tyre: Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic, janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta. Pas sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës këta janë vizituar nga Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Milos Vucevic, nga Petkovic ndërsa mbështeteshin e mbroheshin nga Lista Serbe e Milan Radojciq. Ministrat e Serbisë të përfshirë në këto instrumentalizime me banda kriminale sonte do të dëshironin mos të ekzistonin këto foto e video. Por ato ekzistojnë dhe janë dëshmi e fortë se çfarë fshihet pas “politikës” së tyre”, ka shkruar Sveçla në Facebook. /GazetaExpress/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco