Çfarë ka brenda marrëveshjes Kosovë-Serbi?

Çfarë ka brenda marrëveshjes Kosovë-Serbi?

22:30, 07/02/2023

Marrëveshja e paqes e shtyrë nga kombet e fuqishme perëndimore për të zgjidhur tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dështon të adresojë njohjen reciproke, e cila thelbësisht nënkupton se do të dështojë në arritjen e një progresi real, thonë analistët për Al Jazeera.

Një ndër dispozitat e propozimit të propozuar nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, Serbia nuk do ta njohë haptas pavarësinë e Kosovës, mirëpo duhet të ndalojë lobimin kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, sikur Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Dy shtetet fqinje duhet gjithashtu të hapin zyrat përfaqësuese në kryeqytetet e tyre sipas planit, i cili për të parën herë rrodhi në nëntor në publik dhe pastaj u bë i ditur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Pjesë e marrëveshjes është që komunitetit serb në Kosovë do t’i dhurohet vetëqeverisje.

Për më shumë se një dekadë, Beogradi dhe Prishtina kanë mbajtur bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me qëllim që t’i bashkohen bllokut.

Gëzim Visoka, profesor i asociuar për studime të paqes dhe konfliktit në Universitetin Dublin City, tha për “Al Jazerra” se kjo marrëveshje duket se është “hartuar për evitim të konfliktit më shumë sesa për ndërtimin e paqes së qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë”.

Dispozitat e vendosura në propozim “vazhdojnë të përmbajnë paqartësi” sa i përket njohjes së reciproke, thotë Visoka.

Marrëveshja nuk adreson çështjen e pesë shteteve të BE-së të cilat ende nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për Kosovën, dhe nuk ka asnjë qartësi për rrugën e Kosovës që t’iu bashkohet organizatave ndërkombëtare, si OKB, tha ai.

Kurt Bassuener, analist në think-tankun “Demoratization Policy Council” në Berlin, tha për “Al Jazeera” se marrëveshja është “e paqartë për kah dizajni”.

“Qartazi nuk është njohje nga perspektiva e Kosovës për përpjekje për të shkuar drejt njohjes së plotë dhe mundësisë për t’iu bashkuar klubeve në komunitetin ndërkombëtar”, thotë Bassuener.

Një tjetër Republika Srpska?

Në kuvendin serb javën e kaluar u nxit përplasje midis opozitës dhe deputetëve të partisë në pushtet gjatë fjalimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ligjvënësit opozitarë mbanin pankarta me fjalët “tradhti” dhe “kapitullim” teksa interpretonin marrëveshjen si njohje de-facto të pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo, Boban Bogdanoviq, themelues i bllokut opozitar serb nga Kosova, tha për “Al Jazeera” se ai “përkrah plotësisht” marrëveshjen, sepse është një “qasje e përgjegjshme” për të zgjidhur problemet ndërmjet dy vendeve.

“Marrëveshja garanton të drejtat e komunitetit serb nga komuniteti ndërkombëtar”, tha ai.

Zyrtarët ndërkombëtarë kanë theksuar nevojën që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe (AKSHS) në veriun e Kosovës.

Themelimi i AKSHS-së ishte dakorduar në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2013 për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi kundër tij, duke deklaruar se nuk përfshin etnitetet tjera dhe refuzoi fuqitë ekzekutive të saj.

Shumë shqiptarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë shprehur shqetësime se ai do të formonte një tjetër minishtet ose një tjetër Republika Srpska, si entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë, që u formua si pjese e marrëveshjes paqësore të Daytonit.

Kjo marrëveshje e paqes, e nënshkruar në vitin 1995, i dha fund luftës në Bosnje, por nuk ishte e destinuar të ofronte zgjidhje afatgjate. Njëzet e shtatë vjet më vonë, ka kërcënime nga Republika Srpska për bashkim me Serbinë, gjë e cila nxitet nga presidenti i saj, Milorad Dodik.

“Asociacion monoetnik në një Kosovë multietnike nuk është i mundur”, u tha Kurti gazetarëve javën e kaluar.

Në javën e kaluar, Derek Chollet, këshilltar amerikan i Departamentit të Shtetit dhe Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, garantuan se AKSHS-ja nuk do të jetë monoetnik dhe shkruan një opinion të përbashkët për një portal kosovar se ata “kundërshtojnë fuqishëm çdo formë të entitetit që ngjason me Republika Srpska”.

Ata shkruan se AKSHS-ja nuk do të shtojë një shtresë të re të fuqisë ekzekutive dhe legjislative në Kosovë.

Bogdanoviq tha se nuk ka arsye për frikë nga formimi i një tjetër Republika Srpska në Kosovë.

Formimi i AKSHS-së do të ofrojë “mundësi për bashkëpunim me Serbinë dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, të harmonizojë marrëdhëniet me Prishtinën”, tha ai.

“AKSHS nuk mund të ketë autonomi territoriale….dhe do të formohet në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, jo të Serbisë”, shtoi Bogdanoviq.

Por, Visoka thotë se AKSHS-ja nuk “ka gjasa” të zgjidhë konfliktin.

“Ai rrezikon shtrirjen e themeleve për më shumë probleme që më shumë ndajnë sesa bashkojnë komunitetet etnike në Kosovë”, thotë Visoka.

“Ka kuptim të hulumtohen mekanizma kreativë dhe të lejueshëm me kushtetutë për akomodimin e të drejtave të pakicave vetëm kur ka njohje reciproke dhe normalizim ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë”,  tha ai.

“Ne kemi provuar në të kaluarën krijimin e mekanizmave të mbrojtjes së pakicave pa njohje reciproke dhe ata nuk kanë qenë aq efektivë sa dëshirohej, pikërisht për shkak se u mungon qartësia për çështjen e njohjes së Kosovës”, shtoi Visoka.

Qeveritë perëndimore kanë histori të premtimeve të paplotësuara ndaj Kosovës, tha ai, dhe garancitë dhe premtimet diplomatike nuk do të mjaftojnë ta shtyjnë qeverinë ta formojë AKSHS-në.

“Nuk është i qartë qëllimi i Perëndimit”

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur në kohët e fundit. Në muajin dhjetor, serbët etnikë bllokuan rrugët në shenjë proteste për arrestimin e një polici të dyshuar si i përfshirë në sulmet kundër policëve shqiptarë.

Pasi u hoqën barrikadat, u sulmuan me armë zjarri policia e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë.

Në muajin nëntor, qindra zyrtarë serbë, përfshirë policë, gjyqtarë, kryebashkiakë dhe deputetë, dhanë dorëheqje nga institucionet shtetërore si protestë masive kundër vendimit për ndalimin e serbëve të përdorin tabela të veturave të lëshuara në Beograd, një vendim ky që Prishtina më vonë e tërhoqi.

Ndërkohë, Beogradi ka nxitur serbët në Kosovë t’i kundërshtojnë rregullat e Prishtinës.

Për Bassuener, AKSHS-ja “është e dizajnuar saktësisht për të bërë atë çfarë Rusia ka tentuar të bëjë me Ukrainën midis vitit 2014 dhe para një viti, i cili kufizon mundësinë e Kosovës të ushtrojë sovranitet edhe brenda territorit të saj e lëre mbi nivelin ndërkombëtar”.

“Perëndimi mjaftohet ët thotë se arritëm diçka që mund ta quajmë progres dhe e qetësuam [situatën]”, tha Bassuener.

“Mendoj që Vuçiqi po shpreson të mbajë aftësinë e tij që të vazhdojë këtë formulë të arbitrazhit gjeopolitik ku ai nxjerrë maksimumin nga të gjitha anët, përderisa merr sa më pak që është e mundur”, tha ai.

“Mendoj se askush nuk është me të vërtetë i sinqertë ose i ndershëm në lidhje me disa qëllime në këtë proces, përveç Kosova. Jo vetëm kryeministri, por edhe presidentja kanë qenë shumë të qartë për qëllimet e tyre kryesore”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco