Imamoviç pas takimit me Kurtin: Shqiptarët e boshnjakët të kenë të drejta si serbët në Kosovë e Bosnje

Imamoviç pas takimit me Kurtin: Shqiptarët e boshnjakët të kenë të drejta si serbët në Kosovë e Bosnje

22:34, 04/02/2023

Deputeti boshnjak në Kuvendin e Serbisë, Enis Imamoviç, bashkë me Sulejman Ugljanin, nga SDA Sanxhak, deputeti shqiptar në kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi, e Selma Kuçeviç, kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, këtë të shtunë, me ç’rast kanë diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

Imamoviq ka bërë të ditur se për këtë temë kanë tentuar të diskutojnë edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, por se tentimi ka qenë i pasuksesshëm.

“Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Kuvendin e Serbisë dhe për të mësuar prej tij përmbajtjen e projektmarrëveshjes franko-gjermane (evropiane), sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, folëm për parimet themelore të marrëveshjes dhe përcollëm mendimin tonë për të”, ka thënë Imamoviçi në Facebook.

Në takim, Imamoviqi tha se kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë që “përmes këtij dokumenti të realizohen garancitë për zgjidhjen e problemeve të boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi”.

Ai tha se qëllimi i tyre është të bisedojnë me të gjithë aktorët dhe vendimmarrësit në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve dhe mundësive në rajon dhe në këtë drejtim tha se do të iniciojnë takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Ndërkaq shtoi se do të tentojnë të diskutojnë këtë temë sërish edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “me shpresën se ai do të jetë i gatshëm të dëgjojë pikëpamjet dhe kërkesat tona për këtë çështje”.

Tutje, Imamoviç thotë se si përfaqësues të pakicave në Serbi, është e rëndësishme të dinë se a do të zbatohen të gjitha parimet e marrëveshjes franko-gjermane në zgjidhjen e problemeve të komuniteteve në Serbi.

“Si përfaqësues të boshnjakëve, të gjithë qytetarëve të Sanxhakut dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ne është e rëndësishme që të zbatohen parimet e marrëveshjes franko-gjermane dhe në zgjidhjen e problemeve të komuniteteve tona në Serbi. Kjo do të thotë se të gjitha të drejtat që kanë serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, apo në Kosovë, do t’u garantohen boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi”.

“Vetëm në këtë mënyrë do të respektojmë parimin e marrëveshjes për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe krijimin e paqes së qëndrueshme, besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor mbi baza të shëndetshme”, ka theksuar Imamoviç. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco