Ambasadori amerikan në Serbi: Themelimi i Asociacionit është nevojë urgjente

Ambasadori amerikan në Serbi: Themelimi i Asociacionit është nevojë urgjente

09:52, 02/02/2023

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill e ka përsëritur se çështja kryesore lidhur me përmbushjen e Marrëveshjes së Brukselit është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai për N1 tha se themelimi i Asociacionit është “nevojë urgjente”.

“Unë mendoj se ka një nevojë urgjente që të gjithë të bien dakord për këtë dhe të kuptojnë se pasi të angazhoheni për diçka, ta përmbushni,” tha Hill.

Ai nuk ka dashur të komentojë dokumentet që kanë “rrjedhur” në media, por ka theksuar se qëndrimi i negociatorëve ndërkombëtarë është “komunikuar shumë mirë si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë”, shkruan Veriu info,

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë ditës së djeshme përsëriti qëndrimin se Kosova duhet të ecë drejt formimit të Asociacionit.

Ai tha se qëndrimi i SHBA-së është që ky Asociacion nuk duhet të jetë Republikë Serbe, e as me kompetenca ekzekutive.

Hovenier, gjatë së mërkurës, theksoi se Amerika ka qëndrime të rrepta për mbështetjen e Kosovës.

“Shtetet e Bashkimit të Amerikës mendojnë që tani ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E dyta është se kemi qenë shumë të qartë se çka nuk duhet të jetë. Nuk duhet të jetë Republikë Serbe, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Pra, sërish çështjet, të cilat i kemi përmendur edhe janë edhe në deklaratë. Bashkimi e Bashkimit të Amerikës janë po aq të qëndrueshme dhe të rrepta në mbështetjen e lirë për Kosovën, siç kanë qenë gjithmonë për një shtet, i cili është sovran, demokratik, shumëetnik dhe i pavarur. Dhe ne sjellim drejt qeverisë së Kosovës se si do ta përmbushë këtë vizion duke iu përmbajtur edhe atyre parimeve.”, deklaroi Hovenier.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Asociacioni një etnik në Kosovën me kushtetutë shumetnike nuk është i mundshëm.

Duke theksuar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, Kurti tha se është i gatshëm të përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice tjetër.

“Mirëpo nuk mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë neve për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz edhe në të mira materiale”, tha ai. Nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të këtë zgjedhje njetnike, “le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”, tha kryeministri Kurti.

“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia i kanë arritur 33 marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe asnjëra nuk mund të trajtohet me përparësi.“Ju dini shumë mirë që në Bosnje e Hercegovinë ka një Republikë Serbe. Bosnjën e Hercegovinën de jure Serbia e njeh, por de fakto e saboton për ditë, pra edhe një shteti që ia ka pranuar pavarësinë vetëm shikojeni çfarë po i bën”, tha kryeministri Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco