Vizitat e zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë ngrenë shpresat për marrëveshje finale

Vizitat e zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë ngrenë shpresat për marrëveshje finale

12:12, 25/01/2023

Vizitat e zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi muajve të fundit, ka rritur shpresat se një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve edhe mund të arrihet deri në pranverë, ose gjatë këtij viti. Analistët politikë në vend thonë se kjo edhe mund të realizohet, por që tërheqin vërejtjen e vendosjes se afateve kohore në raste të tilla, njofton RTK.

Muajve të fundit është parë një dinamizëm i diplomacisë ndërkombëtare, të cilët kanë thënë se propozimi i Bashkimit Evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vlerësohet si një bazë për të vazhduar dialogun. Ata janë shprehur optimistë se kjo marrëveshje mund të arrihet gjatë këtij viti.

Kryeministri Albin Kurti më herët kishte shprehur bindjen se BE dhe SHBA kanë në plan që marrëveshja përfundimtare të arrihet deri në mars të  këtij viti. Edhe Serbia ka bërë të ditur se do t`i duhet të marrë vendime të vështira ditët në vijim, bën lidhje me Kosovën, përkatësisht planin evropian të propozuar si modalitet për një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Njohësit politikë, thonë se marsi mund të jetë shumë afër për arritje të marrëveshjes, por që ajo mund të ndodhë deri në fund të pranverës ose në fund të këtij viti.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, në një prononcim për Radio Kosovën thotë se përcaktimi i afateve kohore për marrëveshje mund të ketë edhe kundërefekt, sepse, sipas tij, kjo shkakton zhgënjim në publik.

 “Unë personalisht nuk shoh arritjen e një marrëveshje të shpejtë në muajin mars ose në pranverën e këtij viti. Ndoshta në rastin më të mirë do të kemi një pajtim ose pëlqim drejt rrugës sesi do të vazhdohet tutje në dialog. Por, në diplomaci mund të ketë edhe befasi. Nëse është punuar më herët në hije ose më herët për arritjen e një marrëveshje të tillë, mund të ketë një pikëkthese“, ka thënë Visoka.

E mendim të përafërt ndan edhe profesori tjetër universitar, Besfort Rrecaj, i cili këto afate i sheh bazuar në zhvillimet e brendshme edhe të  Kosovës dhe Serbisë.

“Unë besoj që një marrëveshje e tillë mund të arrihet deri në fund të paraverës me  një skenar optimist, ashtu që palët mund të kenë hapësirë për të diskutuar propozimet eventuale  dhe nëse mund të arrijnë nga një draft marrëveshje potenciale”, ka thënë Rracaj.

Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike,  thotë se duhet  të ketë kujdes në vendosjen e afateve kohore, për marrëveshje të tilla.

“Marrë parasysh këtë presion të madh ndërkombëtar, këtë koordinim kaq të madh SHBA-BE, jam optimistë që të paktën deri në fund të vitit, nëse jo të arrihet marrëveshje mund të definohet qartë me dialogun Kosovë-Serbi dhe kjo është një arritje e madhe. Ky definim i këtij procesi mund të tregojë se nga do të shkojnë edhe Kosova  edhe Serbia, por edhe integrimet e këtyre të dyja vendeve“, ka thënë Fetahu.

Sipas planit franko- gjerman të publikuar nga REL, parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia, kanë filluar bisedimet që nga viti 2011. Këto bisedime janë zhvilluar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Nga viti 2011 deri më 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar 25 marrëveshje, disa prej të cilave janë zbatuar plotësisht, disa pjesërisht e disa aspak.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco