SHBA dënon incidentet e dhunshme në veri të Kosovës, thirrje për vetpërmbajtje

SHBA dënon incidentet e dhunshme në veri të Kosovës, thirrje për vetpërmbajtje

07:00, 10/12/2022

Shtetet e Bashkuara dënuan incidentet e dhunshme në veri të Kosovës dhe kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi që të shmangin deklaratat që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet, shkruan REL dhe bën një përmbledhje të ngjarjeve që kanë ndodhur më 9 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar incidentet e dhunshme që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha zëdhënësi. Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet”.

Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, janë dëgjuar shpërthime mbrëmjen e 9 dhjetorit. Gazetarët e Radios Evropa e Lirë thanë se njëri nga shpërthimet është dëgjuar te lagjja Tri Rrokaqiejt.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në dy ditët e fundit, autoritetet kanë arrestuar dy serbë për sulme ndaj zyrtarëve policorë. Policia e Kosovës tha se arrestimi i fundit ndodhi më 9 dhjetor, në Jarinjë në veri të Kosovës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, pasi sipas anëtarit të këtij institucioni, Arianit Elshani, KQZ-ja nuk ka mandat për këtë

Policia e Kosovës tha se situata në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – është stabile dhe e menaxhueshme

Gjatë ditës janë raportuar disa incidente, tha Policia, përfshirë një sulm ndaj një ekipi gazetarësh. Në orët e mbrëmjes, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar disa shpërthime. Por, autoritetet nuk kanë dhënë detaje se çfarë i ka shkaktuar ato

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës nuk është e orientuar kundër serbëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në Kosovë nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë. Këto komente erdhën pas disa paralajmërimeve nga zyrtarët serbë se po e shqyrtojnë mundësinë që të dërgojnë trupa në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Njohësit thanë se Serbia nuk vendos për kthimin e forcave në Kosovë. Por, këtë e vendos misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha se "bartës i rezistencës” në veri është nënkryetari i saj, Milan Radoiçiq. Ai është në listën e zezë amerikane për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar. Britania më 9 dhjetor e vendosi atë nën sanksione për shkak të korrupsionit

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zgjedhjet, për shkak se kanë argumentuar se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e tyre.

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me situatën “shumë serioze” në veri të Kosovës

Disa qytetarë – serbë dhe shqiptarë – në Mitrovicë të Veriut, i thanë Radios Evropa e Lirë se janë të mësuar me tensione. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco